Ky sezon veror ka shënuar një rritje të konsiderueshme të numrit të vizitorëve, në krahasim me vitin e kaluar.
Instituti i Statistikave publikoi raportin për strukturat akomoduese gjatë muajit qershor, sipas të cilit, numri i vizitorëve është rritur me 40% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të INSTAT, numri i vizitorëve rezident është rritur me 18,4 %, ndërsa vizitorët jo-rezident kanë shënuar një rritje me 49,9 %.
Ajo që bie në sy gjatë këtij sezoni veror është kohëzgjatja e pushimeve. Numri i net-qëndrimeve është rritur me 27.1 % në krahasim me vitin 2023. Turistët e huaj kanë qëndruar më gjatë kryesisht në zonat bregdetare me një rritje prej 51,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Sipas Institutit të Statistikave, gjatë muajit qershor norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 35,9 %, kundrejt 28,5 % që ishte një vit më parë.
Një rritje të konsiderueshme ka pësuar edhe numri i vizitorëve jorezidentë nga Kosova. Në krahasim me vitin e kaluar ata që konsiderohen si turistët patriotike kanë shënuar një rritje me 11,9 %. Numër të lartë vizitorësh gjatë muajit qershor ka patur nga Italia, Polonia, Gjermania dhe Britania e Madhe.
Top Channel