Tubim për vrasjen e Egli Progës/ “Marshimi i dhimbjes” nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë

19/08/2024 17:30

Qytetarët po protestojnë sot në sheshin “Skënderbej” në Tiranë për vrasjen e Egli Progës, 42-vjeçari nga Pogradeci i cili u dhunua për vdekje nga Denis Meçe.

Policia e Shtetit njofton se ka marrë masa për mbarëvajtjen e protestës dhe do të bllokohen disa rrugë.

“Për shkak të zhvillimit të një tubimi ditën e sotme në orën 19:30, parashikuar për tu zhvilluar nga sheshi “Skënderbej” deri te Kryeministria, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera në varësi të lëvizjes së tubuesve.

Njoftojmë qytetarët se sot, prej orës 19:30 e deri në përfundim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, segmenti i rrugës “Myslym Shyri” nga Gjykata e Lartë deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Policia apelon për të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugët “Ibrahim Rugova” dhe “Papa Gjon Pali” si rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit”, theksohet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Organizatorët e quajtën “Marshimi i Dhimbjes”, që nisi nga Sheshi Skënderbej drejt sheshit përpara kryeministrisë. Pjesëmarrësit mbajnë në duar një pankartë me mbishkrimin “Kundër gangove me pushtet”, duke iu referuar atyre që i cilësojnë si tentativa për fshehjen e ngjarjes për shkak të ndikimit të autorit.

Zemërimi u shkaktua pasi fillimisht vdekja e Egli Progës u raportua si rrëzim për shkak të abuzimit me alkoolin, por më pas hetimet zbuluan se 42-vjecari ishte goditur nga Denis Meçe, i cili tashmë ndodhet pas hekurave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA