Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu, ka bërë me dije se sot situata e zjarreve në vend, paraqitet më e qetë.
“Pas shumë javësh betejë me zjarret që përfshinë shumë zona të territorit të vendit tonë, sot situata paraqitet më e qetë. Gjatë 24 orëve të fundit, nga 31 vatra zjarri të raportuara, 28 janë shuar plotësisht, ndërsa vetëm 3 vatra mbeten ende aktive”, shkruan ai në një postim në Facebook.
Aktualisht, vatra në Arrën të bashkisë së Kukësit, ajo në Fushë Lugje të Mirditës dhe vatra në Buçaj të Shkodrës janë të izoluara pa rrezik përhapjeje dhe po monitorohen për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi.
“Mirënjohje për të gjitha strukturat operacionale, zjarrfikësit, efektivët e Forcave të Armatosura, Policinë, Shërbimin Pyjor, Zonat e Mbrojtura dhe vullnetarët për punën e palodhur dhe angazhimin maksimal. Përkushtimi i tyre i përbashkët ka qenë vendimtar në minimizimin e dëmeve dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve!”, shkruan ministri.
Top Channel