Dy ngjarje të rënda janë shënuar në Vlorë, me pasojë në jetë njerëzish.
Një 1-vjeçar ka humbur jetën, pasi dyshohet se është mbytur me ushqim teksa ishte në banesë në fshatin Llakatundë.
Nga ana tjetër një 29-vjeçar është gjetur i vetëvarur në një pemë. Viktima kishte humbur prej disa orësh kontaktet me familjarët.
“Në fshatin Gjorm, dyshohet se në kushte të rënduara psikologjike, është vetëvarur në një pemë, shtetasi R. A., 29 vjeç. 29-vjeçari u gjet nga familjarët e tij, me të cilët kishte humbur kontaktet prej disa orësh”, thuhet në njoftimin e policisë.
Një 40-vjeçar është vënë në pranga, pasi aksidentoi një 79-vjeçar që lëvizte me biçikletë.
“Sektori i Policisë Rrugore në DVP Vlorë arrestoi shtetasin B. G., 40 vjeç, pasi ditën e djeshme, në aksin rrugor “Delisuf-Dëllënjë”, duke drejtuar automjetin tip “Lancia”, aksidentoi shtetasin L. Gj., 79 vjeç, i cili lëvizte me biçikletë. 79-vjeçari ndodhet në Spitalin e Traumës, për ndihmë mjekësore të specializuar”, njofton policia.
Gjithashtu një 52-vjeçar është në kërkim, pasi ka shkrepur armën disa herë në ajër.
“Komisariati i Policisë Vlorë referoi materiale në Prokurori dhe shpalli në kërkim shtetasin T. H., 52 vjeç, banues në Vlorë, pasi ditën e djeshme, në lagjen “Isa Boletini”, dyshohet se ka qëlluar një herë me armë zjarri në ajër. Punohet për kapjen e 52-vjeçarit, si dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, raportojnë blutë.
Materialet u referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Top Channel