Para se zgjedhjet të trokasin, Parlamenti kërkon që ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit t’i mbyllen shtigjet për t’u futur në politikë.
Në detyrat që Kuvendi i ka lënë Autoritetit të Dosjeve për vitin 2024 është kalimi në filtrin e tij të politikanëve që kanë arritur ti shpëtonin rrjetës së Komisioneve Mezini dhe Bezhani, të cilët edhe pse u ngritën pas rënies së regjimit komunist për ti pamundësuar ish- spiunëve futjen në politikë, dështuan.
“Kuvendi kërkon që Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2024 të intensifikojë bashkëpunimin me institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike për riverifikim të figurës së zyrtarëve të pajisur më parë me certifikatë pastërtie nga komisionet “Bezhani” e “Mezini””.
Pastrimi i politikës nga spiunët nuk do të thotë vetëm një Parlament pa ish-bashkëpunëtorë të sigurimit, por edhe parti politike pa drejtues të tillë. Autoritetit të Dosjeve i kërkohet që të vendosen urat e bashkëpunimit me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për identifikimin e ndërhyrjeve të duhura në Kodin Elektoral dhe ligjin e partive politike.
“Kuvendi kërkon që Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2024 të bashkëpunojë me KQZ-në për ndryshimet e nevojshme të kuadrit ligjor ekzistues lidhur me integritetin e zyrtarëve, Kodit Zgjedhor, apo ligjit për partitë politike në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të angazhohet për verifikimin e të gjithë kandidatëve në zgjedhje”.
Në korrikun e 2022, Autoriteti i Dosjeve njoftoi Kuvendin se kishte gjetur në arkivën e ish-sigurimit, politikanin me iniciale I.M, por që e kishte të pamundur të verifikonte nëse bëhej fjalë për ish -presidentin Ilir Meta pasi ai kishte kaluar filtrat e Komisioneve “Mezini dhe Bezhani”.
Parlamenti u vu në lëvizje duke e shfuqizuar këtë klauzolë që e mbronte ish-spiunët e infiltruar në politikë, ndërkohë të majtë dhe të djathtë nxituan të depozitonin një sërë nismash në Kuvend që i mbyllnin derën jo vetëm ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit, por edhe ish-sekretarëve të partisë së punës. Por, edhe pse kanë kaluar dy vite nga ky moment, politika i ka lënë në harresë nismat e saj të cilat vijojnë të qëndrojnë në pritje ne sirtarët e Kuvendit.
Top Channel