Shërbimi rus për monitorimin e internetit, Sboi.rf tha se ishin raportuar mijëra raste problemesh me përdorimin e faqes YouTube në Rusi.
Përdoruesit thanë se mund të hynin në YouTube vetëm përmes VPN-it.
“YouTube nuk po funksionon,” tha një përdorues anonim duke komentuar në faqe.
Gazetarët e agjencisë Reuters në Rusi nuk ishin në gjendje të hynin në YouTube. Disa përdorues të platformës arritën të kenë qasje përmes pajisjeve celulare.
Kompania Google në pronësinë e së cilës është YouTube, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment të enjten.
As agjencia kryesore shtetërore ruse që mbikqyr komunikacionet, Roskomnadzor nuk i është përgjigjur një kërkese për koment.
YouTube është një nga bastionet e fundit të lirisë së shprehjes në internet në Rusi, ku vazhdojnë të postohen materiale nga kundërshtarët e Kremlinit, që janë ndaluar në përgjithësi nga faqet e tjera të njohura të mediave sociale në Rusi.
Shpejtësia e shkarkimit të faqes është ngadalësuar dukshëm javët e fundit, gjë për të cilën ligjvënësit rusë kanë fajësuar kompaninë Google, diçka që vetë kompania e ka hedhur poshtë.
Alexander Khinshtein, kreu i një komisioni parlamentar për politikat e informimit, paralajmëroi muajin e kaluar se shpejtësia e platformës YouTube do të ngadalësohej me deri në 70%.
Ai tha se ky ngadalësim ishte “një hap i domosdoshëm, i drejtuar jo kundër përdoruesve rusë, por kundër kompanisë së një burimi të huaj që ende beson se mund të shkelë dhe të injorojë legjislacionin tonë pa u ndëshkuar”.
Zoti Khinshtein më vonë u shpreh se ngadalësimi kishte ndodhur pasi Google nuk kishte investuar në infrastrukturën ruse, siç janë serverët e saj lokalë, një pretendim që YouTube e hodhi poshtë.
Një zëdhënës i platformës YouTube tha javën e kaluar se kompania ishte në dijeni të raportimeve se disa përdorues nuk ishin në gjendje të hynin në YouTube në Rusi. Ai sqaroi se kjo nuk kishte ardhur si pasojë e ndonjë veprimi për arsye teknike nga ana e platformës./VOA

