Vinicius Junior e ka mendjen te finalja e Superkupës së Europës përballë Atalantës së Berat Gjimshitit. Fituesit e Champions dhe Europa League, do të përballen mes tyre në datën 14 giusht në Varshavë të Polonisë.
Sulmuesi brazilin mezi po pret të nisë stërvitjen me Kylian Mbappe, me këtë të fundit që të enjten do të zhvillojë seancën e parë stërvitore me skuadrën e re. Ndërkohë që Vini ndalet edhe te dueli ndaj zikaltërve nga Bergamo.
“Do të jetë e shkëlqyer të luaj me Mbappe, shpresoj të bëjmë gjëra të mëdha së bashku. Duhet të kujdesemi për të dhe të bëjmë gjithçka që është e mundur në mënyrë që të përshtatet sa më shpejt.
Kurrë nuk është e lehtë kur kalon në një klub tjetër, por ne kështu vepruam edhe vjet me Bellingham. E ndihmuam të përshtatej shpejt dhe ai nisi të shkëlqente. Shpresojmë të ndodhë e njëjta gjë me Mbappe.
Atalanta? Të përqendrohemi te ndeshja e parë sezonale, që përkon me një finale. Po përgatitemi për sezonin e ri njësoj siç ndodhi vitin e kaluar. Unë gjithmonë stërvitem për të qenë afër nivelit që tregova edicionin e fundit.
Nuk kemi shumë kohë në dispozicion për finalen ndaj Atalantës. Gjithsesi, ne jemi gati. Na pret një ndeshje e madhe. Dua të shënoj sa më shumë gola dhe të fitoj sa më tepër trofe.
Jam vetëm 24 vjeç, sigurisht që dua të vazhdoj të rritem e përmirësohem”, tha sulmuesi brazilian i kampionëve të Spanjës dhe Europës. Njëkohësisht një ndër “yjet” e skuadrës së Carlo Ancelottit.
Top Channel