Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi tha se problematika e kartave të skaduara të 6 mijë votuesve të Himarës nuk i përket KQZ dhe se duhej zgjidhur më parë, jo në ditën e fundit.
Ai theksoi se nuk ka pasur një kërkesë zyrtare nga ana e partive politike që KQZ të komunikonte me përfaqësues të qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme që të lëshohej një urdhër për zgjidhjen e kësaj problematike, siç ndodhi në zgjedhjet lokale të 14 majit për të zgjatur vlefshmërinë e dokumenteve.
Celibashi: Nuk ka të bëjë aspak me përgjegjësitë e KQZ, por mbetet jashtë procesit zgjedhor në themelin e vet. Janë rreth 6 mijë votues të cilët dokumenti ose u ka skaduar ose u skadon deri ditën e sotme, dua të them që gati po e njëjta shifër ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara, nuk kishin një dokument id të vlefshëm. Përse nuk u mor një vendim nga këshilli, këtë unë nuk mund ta them. Ne e kemi bërë këtë komunikim kur ka pasur kërkesë zyrtare nga partitë politike, s’ka pasur komunikim zyrtar, e kemi pasur informal, ngelet një çështje që është jashtë asaj sferës së përgatitjes dhe vëmendjes që duhet të ketë KQZ.
Nuk kemi pasur komunikim me përfaqësues të qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme sepse s’do të ishte zgjidhje kjo çështje duhej zgjidhur më parë, s’kemi pse hezitojmë, lidhet me interesin e vetë votuesve, janë ata të parët që vlerësojnë kanë apo jo interes për të pasur një mjet identifikimi. Edhe për partitë politike dhe subjekte të tjera të interesuara. Është interes që lidhet me vetë votuesit kandidatët dhe pjesëmarrësit në garë.
Kreu i KQZ Celibashi bashkëbisedoi me anëtaret e KZAZ nr. 88. Ai u informua për problematikat e raportuara dhe si janë zgjidhur si dhe detajet teknike për ecurinë e procesit.
Pas konferencës për media, Celibashi po shkon në një takim informal me Vangjel Dulen.
Top Channel