Nga vrasja e Santiago Malkos dhe Erigers Mihasit, tek atentatet ndaj Martinajt / Kush është Leonard Duka që u ekstradua sot, armik i përbetuar i ‘bosit’ të lojërave të fatit

02/08/2024 16:50

Leonard Duka, i arrestuar më parë në Belgjikë u ekstradua sot drejt vendit tonë, nën akuzën e vrasjes së Santiago Malkos.

Ai dyshohet si organizator i vrasjes së grupit të ‘bosit’ të lojërave të fatit Ervis Martinaj, i cili vijon të jetë i zhdukur prej dy vitesh tashmë.

37-vjeçari, kreu i klanit “Duka”,i shumëkërkuar ndërkombëtarisht për krime kundër personit dhe për armëmbajtës pa leje, u arrestua në shkurt 2023, teksa fshihej në një banesë private në një provincë të Brukselit.

Gjatë një megaoperacioni në muajin maj të këtij vitit ku u lëshuan masa për 50 persona, u zbuluan detaje se si grupet rivale kriminale në vend planifikikonin eliminimin e njëri-tjetrit.

Grupi kriminal i Leonard Dukës dhe Durim Bamit në bashkëpunim me Fatmir Hysenin organizuan planin për vrasjen e Ervis Martinajt.

Sipas hetimeve, në zonën e Fushë Krujës spikat grupi kriminal i drejtuar nga shtetasi Durim Bami i cili shfaqet në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga shtetasit Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka.

Grupi kriminal i drejtuar nga Durim Bami bën aleancë me një grup kundërshtar të shtetasit Ervis Martinaj dhe që drejtohet nga shtetasit Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale.

20 persona ranë në pranga gjatë megaoperacionit të SPAK të organizuar në disa qytete të vendit, nga 50 urdhër arreste të lëshuara nga GJKKO.

Vrasja e ish-policit, Santiago Malko

Pasditen e 27 gusht të vitit 2019 një skuadër e përbërë nga 7 persona monitoroi lëvizjen e Santiago Malkos që njihej si krahu i djathtë të mbretit të lojërave të fatit Ervis Martinaj. Ata bashkërenduan lëvizjet me dy ekzekutorët për të kryer eliminimin në një aks plot lëvizje e kamera. Kreu i klanit “Duka” dhe Martianaj më parë kishin qenë miq dhe ortakë në biznesin e lojërave të fatit, më pas patën përplasje të ashpra pikërisht dhe u përfshinë në një konflikt pikërisht prej këtij aktiviteti disa milionësh.

Pas prishjes së ortakërisë mes tyre, pasoi në disa ngjarje kriminale.

Grupi kriminal i drejtuar nga vëllezërit Duka i kryesuar nga Leonard Duka, kishte planifikuar në vitin 2019 një plan për eliminimin fizik të Ervis Martinaj dhe për këtë arsye iu duhej informacion për të gjitha lëvizjet e këtij shtetasi.

Për këtë arsye ata kishin vendosur të rekrutonin persona të ndryshëm për të siguruar informacionet e duhura për lëvizjet e Martinajt. Hetimet zbuluan se ata paguan 30 mijë euro një punonjëse të një agjencie turistike si dhe të fejuarin e saj për të ndjekur lëvizjet e tij jashtë vendit.

Vrasja e Erigers Mihasit

Erigers Mihasi dhe Armand Dumani u ekzekutuan më 13 nëntor 2021 në një atentat mafioz e të mirëmenduar në Astir.

Autorët kanë qëlluar me breshëri plumbash dhe në trupat e të ndjerëve kanë përshkuar mbi 20 plumba, duke u sjellë të dyve vdekjen e menjëhershme.

Vetë skema e vrasjes dhe saktësia për të qëlluar drejt shënjestrës i çon hetimet drejt pistës së vrasjes me dashje nga vrasës me pagesë.

Mësohet se automjeti tip Audi ku udhëtonin viktimat është qëlluar në ecje dhe më pas ka ndaluar dhe dy mjetet po udhëtonin nga Pallati me Shigjeta në drejtim të rrethrotullimit të ish sheshit Shqiponja.

Në zonën e Thumanës në Fushë-Krujë është gjetur një automjet tip Toyota i djegur, i cili dyshohet se është i atentatorëve. Policia njoftoi se target e mjetit të djegur janë të vjedhura.

32-vjeçari Erigers Mihasi sapo ishte kthyer nga Gjermania. Ai ka qenë një nga njerëzit më të besuar të biznesmenit të lojërave të fatit, Vis Martinaj, dhe ka precedentë të mëparshëm penal. Ishte liruar nga burgu në vitin 2019, dhe ishte shpallur sërish në kërkim për një arsenal armësh që ishte zbuluar në zonën e Yrshekut.

Mihasi u arrestua për grabitjen dy prindërve të moshuar të Elton Çiços në Tepelenë, por u la sërish i lirë brenda muajsh.

Së fundmi, Mihasi frekuentonte xhaminë, por nuk mundi t’i shpëtojë të kaluarës së tij të errët, ku duket se autorët kishin ende ‘hesape’ të palara.

32-vjeçari dhe miku i tij, Armand Dumani 26-vjeç, vdiqën në vend, brenda mjetit tip “Audi”, teksa po lëviznin nga zona e ish-doganës drejt Pallatit me Shigjeta, rreth orës 19:30.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA