Kryeministri Edi Rama, ka publikuar pamjet nga plazhi i Jalit, që këtë fundjavë është mbushur me pushues vendas dhe turistë të huaj.

Videon e shpërndarë në rrjetin social “Facebook”, kreu i qeverisë e ka shoqëruar me ironinë: “Jala plot me patronazhistë”, si përgjigje për akuzat se “plazhet janë bosh, por po bëhet propagandë për të treguar të kundërtën”.

Më herët, kryeministri ndau shifrat e hyrjeve në vendin tonë, që flasin për një numër rekord të turistëve. Duke lexuar hyrjet në Shqipëri nga aeroporti “Nënë Tereza”, ai tha se në gjashtë muajt e parë të 2024, kanë hyrë 1.2 milionë pasagjerë, 350 mijë më shumë se një vit më parë. Sipas tij, aeroporti Rinasit po operon me qindra operime në ditë, duke u bërë i pari në rajon.

Rama ironizoi ata që flasin për dështim të turizmit, por theksoi se “po mban shënime për të pasur një sezon më të mbarë dhe më cilësor” vitin e ardhshëm.

“Është e habitshme se sa të pamundur e ka një pjesë e jona që t’i gëzohet suksesit të Shqipërisë. Megjithatë, shyqyr që është një pjesë që zvogëlohet krahasimisht me Shqipërinë që rritet e forcohet, por për disa është për të thënë shyqyr që i kemi, tamam si ato hudhrat në dyert e shtëpive, që e mbrojnë vendin nga syri i keq. Pushime të mbara dhe askush të mos mendojë se nuk po mbajmë shënime për të nxjerrë mësime edhe nga ky sezon që është shumë i mbarë, por ka plot gjëra për të korrigjuar dhe gabime për të adresuar, që në sezonin e ardhshëm të kemi më shumë mbarësi, por edhe më shumë cilësi”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA