Fermerët e bashkisë së Tiranës do të punojnë tokën me mjete bujqësore gjermane, kjo fale bashkëpunimit të Bashkisë së Tiranës dhe Help – Hilfe CU ZELBSHILFE. Në ceremoninë e zhvilluar në Tregun e ri Agroushqimor në Farkë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, falënderoi miqtë gjermanë për kontributin dhe vuri në dukje këtë mundësi të jashtëzakonshme bashkëpunimi për të përkrahur fermerët.
“Sot kemi një mundësi të jashtëzakonshme të bashkëpunojmë me Gjermaninë sepse kemi kaluar nga ajo ndihma e viteve ‘90, ku shumë prej qytetarëve të qytetit tonë u futën në ambasadën gjermane si e vetmja shpresë për të ikur, tani jemi bërë bashkë me ambasadën gjermane për të ndihmuar fermerët të ndërtojnë këtu, të mbjellin këtu, të korrin këtu, të punojnë këtu dhe të rrisin familjet e tyre këtu. Kemi kaluar nga faza e lëmoshës, në fazën e bashkëpunimit, ku fermerët tanë do t’i punojnë tokat tona me të njëjtat pajisje që punohen në Gjermani”, tha Veliaj.
Velaij tha se për të ndihmuar prodhimin vendas të gjithë ne duhet të konsumojmë prodhimet “Made in Albania”
“Kam një ftesë për qytetarët që përgatiten të shkojnë me pushime: Mbusheni makinën me produkte që prodhohen këtu. Kur dikush blen perime dhe fruta të vendit, gjelin e Baldushkut, verën e Lundrës, domaten e Shëngjergjit, nuk ka blerë vetëm ushqim për barkun, por ka blerë edhe librat e shkollës për një gocë të vogël, që do të shkojë në shkollë në shtator. Nëse doni të jeni patriotë sot, nuk ka nevojë të thoni “O sa mirë me qenë shqiptar”, se atë e thonë të gjithë. Është krenari kombëtare të shërbesh diçka, që është rritur nga duart, djersa, pasioni dhe dashuria e fermerëve tanë”, shtoi Veliaj.
Kryebashkiaku nënvizoi se ashtu sikurse fermerët, edhe bashkia nuk pushon gjatë muajit gusht, pasi duke shfrytëzuar kohën kur pjesa më e madhe e qytetarëve janë me pushime, mund të ecë puna për përfundimin e projekteve, që do të jenë gati në shtator. Këtu ai përmendi edhe punën për përgatitjen e 400 shkollave, kopshteve dhe çerdheve për vitin e ri shkollor, si dhe hapjen e shkollave të reja.
Top Channel