Ishulli me panoramën ‘aliene’ në oqeanin Indian, ndodhet pema që ‘shëron gjithçka’ (fotot)

30/07/2024 15:39

Sokotra është quajtur një nga ishujt me panoramën më aliene në botë, prej natyrës së tij të çuditshme dhe florës e faunës së rrallë.

I mbushur me specie të rralla dhe plazhe rëre të kuqe e të bardha, Sokotra gjendet rreth 200 km larg gadishullit Arabik dhe është pjesë e republikës së Jemenit.

Toka e tij është ndarë nga ajo e kontinentit disa milionë vjet më parë, teksa raportohet se ka qenë dikur pjesë e super-kontinentit të quajtur Gondwana.

Ishulli strehon më shumë se 800 specie të rralla faune e flore detare e tokësore, duke përfshirë pemët në formë çadre të njohura si “Gjaku i Dragoit” të cilat kanë fuqi shëruese prej rrëshirës së tyre të kuqe.

Kjo pemë mund të gjendet vetëm në këtë ishull dhe është simbol kombëtar i Jemenit.

Legjendat thonë se rrëshira e Gjakut të Dragoit përdorej nga luftëtarët për të shpejtuar shërimin e plagëve të tyre.

Banorët vendas në Sokotra përdorin lëngun e pemës si një ilaç që shëron gjithçka.

Panorama gjysmë shkretëtirë e ishullit vjen prej klimës së ashpër me temperatura mesatare 25 gradë, me reshje të pakta gjatë vitit.

Ishulli njihet për diversitetin e zvarranikëve, 95 përqind e të cilave gjenden vetëm aty.

Sokotra njihet gjithashtu për temjanin e saj aromatik, xhevahirët e rrëshirës së fosilizuar, bimët dhe perlat detare.

Origjina e fjalës ‘Sokotra’ mbetet mister, por studiuesit besojnë se vjen nga gjuha e vjeter indiane Sanskrit dhe fjala ‘dvipa sukadara’ që do të thotë ‘ishulli i bekimit’.

Vendi ka rreth 50 ,000 deri në 60,000 banorë dhe është shpallur trashëgimi botërore e UNESCO në 2008, por udhëtimet aty janë të kufizuara prej konfliktit që vijon prej vitesh në Jemen, shkruan rrjeti The Sun.

FOTO GALERI
1/7
I mbushur me specie të rralla dhe plazhe rëre të kuqe e të bardha, Sokotra gjendet rreth 200 km larg gadishullit Arabik dhe është pjesë e republikës së Jemenit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA