Ervin Salianji, që drejtoi Komisionin Hetimor për të dhënat e TIMS, prezantoi sot në Kuvend gjetjet e komisionit për gati katër muaj.
Demokrati u shpreh se “Partia Socialiste u bë barrikadë për të mbrojtur paligjshmërinë e ndodhur gjatë hakerimit të TIMS”. Sipas tij, anëtarët e mazhorancës penguan që kryeministri Edi Rama dhe ministri Bledi Çuçi të thirreshin si dëshmitarë në komision.
“Komisioni do të shtrinte veprimtarinë për një afat 4 muaj. Për shkak se nuk e kishte ushtruar të plotë veprimtarinë e tij, për shkak të gjetjeve që pati, grupi parlamentar i PD-së, si nismëtar, kërkuan shtesë për të vazhduar gjetjet. Komisioni mblodhi dokumentet dhe provat e bashkë me dëshmitë, sot do ta paraqesim të plotë. PS u bë barrikadë për të mbrojtur paligjshmërinë e ndodhur. Këshilli i Ministrave refuzoi të vinte në dispozicion informacionet e kërkuara, anëtarët refuzuan të sillnin si dëshmitar kryeministrin Edi Rama, si person që kishte dijeni. Anëtarët e mazhorancës refuzuan të thërrisnin Bledi Çuçin, që kishte pasur një rol të rëndësishëm, anëtarët e mazhorancës vendosën që dëshmitë të merren me dyer të mbyllura, megjithëse dëshmitë nuk përmbanin informacione të klasifikuara si sekret shtetëror. Gjatë hetimit, është verifikuar çdo pretendim që kemi bërë në kërkesën fillestare”.
Duke lexuar raportin e PD-së, Salianji tha se drejtuesit e Policisë së Shtetit u njoftuan për ndërhyrjen e paligjshme në sistem në 2 gusht 2023, reagimi erdhi një ditë me vonesë.
“Nga dokumentacioni i administruar dhe dëshmitë e marra nga Komisioni Hetimor ka rezultuar se njoftimi i parë për një ndërhyrje të paligjshme në sistemin TIMS ka ardhur nëpërmjet një email-i në orën 14:51 të datës 02.08.2023 nga shefi i Sektorit të Serverave, zoti Ardit Muço, i cili iu është përcjellë drejtuesve kryesorë të Policisë së Shtetit. Më pas njoftimi i dytë ka ardhur nëpërmjet një email-i në orën 22:54 të datës 02.08.2023, ku krahas drejtuesve të Policisë së Shtetit, janë informuar mediat dhe drejtuesit kryesorë të shtetit, përfshirë Ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Megjithë njoftimet e marra nga Ministri i Brendshëm, zoti Taulant Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, zoti Muhamet Rrumbullaku, Drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në datën 02.08.2023, datë në të cilën ka filluar edhe ndërhyrja në sistemin TIMS, reagimi institucional ka ardhur vetëm ditën e nesërme në datën 03.08.2023. Deklarimet e zotit Balla, zotit Rrumbullaku dhe zoti Veliu sa i përket marrjes dijeni dhe komunikimeve me njëri-tjetrin janë kontradiktore dhe nuk përputhen me njëra-tjetrën. Nëse reagimi do të kishte qenë në kohë, ndërhyrja e filluar në orën 18:00 të datës 02.08.2023 dhe e shtrirë deri në orën 02:00 të datës 03.08.2023, mund të ishte parandaluar”.
Salianji shtoi se sulmet kibernetike u justifikuan nga drejtues të Ministrisë së Brendshme si vepra të hakerëve iranianë, por kjo nuk është e vërtetë.
“Ervin Muça na ka deklaruar se ka pasur dy sulme kibernetike. Sulmi I parë u mbajt I fshehtë pa kryer hetim apo masa që solli edhe sulmi ne dytë të pretenduar nga hakerat iranianë. Si rezultat I këtyre sulmeve çdo e dhënë në sistemin TIMS nga krijimi I tij deri në shtator 2022 gjenden në një kanal online që na është thënë konkretisht. Këto të dhëna janë të aksesueshme nga ata që kanë interes nga krimi I organizuar te shtetet jomiqësore që në këmbim të një shume monetare sot çdo e dhënë mund të shitet e blihet lehtësisht”.
Kreu i Komisionit Hetimor “TIMS” shtoi se persona të paautorizuar kishin akses në sistem, por “drejtuesit e Policisë së Shtetit nuk e penguan dhe dënuan shkeljen”.
Një vit më parë, hakerat e sponsorizuar nga Irani vunë në shënjestër sistemin TIMS që shërben për regjistrimin e hyrje daljeve në pikat kufitare, duke shkaktuar probleme në sistemin më të rëndësishëm të policisë shqiptare.
Pas kësaj ngjarjeje, në prill të këtij viti, nisi punën Komisioni Hetimor për çështjen e të dhënave të sistemit “TIMS”, me kryetar Ervin Salianjin dhe nënkryetar Toni Gogun. Ndërkohë, ish-drejtori i IT-së, Ervin Muço ndodhet në “arrest shtëpie”, pasi dyshohet të ketë ndërhyrë verën e shkuar në sistemin TIMS.
Top Channel