“Fiks Fare”/ Ofendoi Hoxhën, kushërinjtë e Hoxhës marrin “hak” dhe plagosin 40-vjeçarin në Berat!

26/07/2024 20:45

Fiks Fare denoncoi një ngjarje në Berat, ku një qytetar u ankua se kushërinjtë e hoxhës në Xhaminë Mbret e kanë plagosur.

Ergen Sulka, 40 vjeç, tha për Fiksin se në datën 9 korrik 2024 e kanë shoqëruar në polici pas denoncimit të hoxhës së xhamisë mbret Ferben Dura. Hoxha e ka denoncuar për fyerje dhe policia e shoqëroi.

“Më mbajtën 4 a 5 orë në polici. As e kam kërcënuar e as fyer. Më pas më liruan. Të nesërmen e mësoj se më kanë proceduar për fyerje. Më datë 10 korrik në mëngjes sa u ndava me gruan më afrohen dy persona. Ata quhen Evi Dura dhe Gëzim Këllëkçiu. Më thonë pse e fyeve hoxhën dhe më qëllojnë me grushte dhe shkelma. Kam goditje në kokë, këmbë e krahë. U gjakosa dhe aty erdhën dy policë dhe më pyetën se çfarë kisha dhe më shoqëruan në Spitalin Rajonal në Berat. Bëra ekzaminime dhe mjekime. Më pas shkova në policinë e Beratit dhe bëra denoncim”, thotë Ergeni.

Sipas tij, autorët janë kushërinjtë e hoxhës, djali i xhaxhait dhe i hallës. “Para se të më godisnin, më pyetën se çfarë kisha me hoxhën. Unë këta i njoh, janë nga Berati po s’kam pasur konflikt” thotë Ergeni. Më pas pohon se hoxha i xhamisë Ferben Dura dhe myftiu i Beratit Bilbil Tella janë në afërsi të policisë dhe po presin kushërinjtë që janë shoqëruar në polici.

Krahas denoncuesit, në polici u shoqëruan edhe dy autorët. Ditën që Fiksi shkoi në Berat, hoxha dhe myftiu ishin në afërsi të Policisë së Beratit. Gazetarët telefonojnë Hoxhën tha ai pranon se ishte në afërsi të Policisë së Beratit. “Hajdeni se jam me Myftiun te një lokal afër derës së vjetër të policisë” thotë ai. Por, kur shikon grupin e Fiks Fare, telefonon dhe thotë se “s’duam të flasim, një herë tjetër”.

Grupi i Fiks Fare shkoi te lokali ku qëndronin hoxha, myftiu dhe disa persona të tjerë. E pyesin hoxhën për ngjarjen dhe thotë se “një herë tjetër”. Fiksi këmbëngul se përse ndodhi kjo ngjarje, ndërsa të tjerë pohojnë se janë bërë disa denoncime dhe e di Drejtori i Policisë së Beratit. E pyesim se xhamia është institucion, ndërsa të tjerë pohojnë se personi ka fyer. “Nuk duam të flasim se është situatë e nderë” thonë ata. Fiksi kërkon të flasë me myftiun, por ai nuk reagon. “Pyesni policinë se situata degradoi se nuk veproi policia” thotë dikush nga personat që qëndron me hoxhën.

Për ngjarjen e datës 9 korrik, Policia e Beratit ka proceduar në gjendje të lirë Ergen Sulkën, pasi ka kërcënuar dhe fyer përfaqësuesin e një objekti kulti. “Komisariati i Policisë Berat referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Ergen Sulka, 40 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka fyer përfaqësuesin e një objekti kulti” thuhet në njoftimin e Policisë së Beratit. Ndërkohë, për ngjarjen e datës 10 korrik, policia dha një tjetër njoftim.

“Komisariati i Policisë Berat referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale ‘plagosja e lehtë me dashje’, për shtetasit Gëzim Këllëkçiu 36 vjeç dhe Evi Dura, 51 vjeç, të dy banues në Berat, pasi kanë goditur me grushte shtetasin Erges Sulka, 40 vjeç, banues në Berat, me pretendimin se 40-vjeçari kishte kanosur familjarin e tyre, përfaqësues i një objekti kulti. Për shtetasin Erges Sulka, pas konsultimit me prokurorin, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për këtë rast, për veprën penale ‘kanosja’”, thuhet në njoftimin e Policisë së Beratit.

Ndërkohë, më herët, në datën 2 korrik, policia tha se ka proceduar babanë e denoncuesit. “Komisariati i Policisë Berat referoi materialet në prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin H. S., 66 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur dhe fyer përfaqësuesin e një objekti kulti” thuhej në njoftim.

Pra, disa ngjarje ku të përfshirë janë pjesëtarë të familjes Sulka dhe hoxhës së Xhamisë Mbret. Por, as hoxha dhe as Myftiu i Beratit nuk pritën organet e drejtësisë që të hetonin këto kërcënime apo fyerje. Por, në “lojë” u futën kushërinjtë e vetë hoxhës, të cilët morën “hakun”, duke plagosur edhe 40 vjeçarin.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA