Polonia po i bën thirrje Bashkimit Evropian që të ndërmarrë një fushatë në Shtetet e Bashkuara për të rritur ndërgjegjësimin e publikut amerikan mbi rëndësinë e marrëdhënieve transatlantike.
Në një dokument të përgatitur për një takim të ministrave të jashtëm të BE-së të hënën, Polonia bën thirrje për veprime proaktive përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara, për t’iu kundërvënë atij që e përshkruan si “dezinformim” rus që synon të shkaktojë ndasi mes BE-së dhe Uashingtonit.
“Në këtë moment kritik të historisë, është e domosdoshme që të ndërmarrim kolektivisht veprime të shpejta dhe të fuqishme për të forcuar marrëdhëniet transatlantike përmes komunikimit strategjik në Shtetet e Bashkuara, lidhur me BE-në”, thuhet në dokumentin që e ka siguruar agjencia e lajmeve Reuters.
“Kjo do të thotë të përshkallëzojmë përpjekjet kundër dezinformimit dhe çka është më e rëndësishmja, parandalimin e dezinformatave ruse dhe ndërmarrjen e fushatave që tregojnë realitetin për Evropën dhe avantazhet e diplomacisë, sigurisë kolektive dhe shoqërisë së hapur”, vazhdon dokumenti.
Kremlini ka thënë se nuk do të ndërhyjë në zgjedhjet e nëntorit në SHBA dhe ka hedhur poshtë akuzat e Shteteve të Bashkuara sipas së cilave Rusia ka orkestruar fushata për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të viteve 2016 dhe 2020.
Sipas dokumentit të paraqitur nga Polonia, media shtetërore ruse dhe llogaritë online të lidhura me Kremlinin po përhapin dhe përforcojnë infrormacione të rreme në lidhje me imigracionin dhe sigurinë kufitare në Shtetet e Bashkuara.
“Duhet të jemi të përgatitur për përshkallëzim të këtyre përpjekjeve, pasi gërryerja e mbështetjes për Ukrainën mbetet prioriteti kryesor i Rusisë.
Ne duhet t’i kujtojmë publikut amerikan, veçanërisht brezit të ri rezultatet që partneriteti ynë ka sjellë për ekonominë amerikane”, thuhet në letër.
Polonia ka thënë se është vënë në shënjestër të përpjekjeve të shumta ruse për destabilizim dhe ndërhyrje në zgjedhje për shkak të rolit të saj në mbështetje të Ukrainës, duke ofruar ndihmë ushtarake për vendin fqinj, akuza që Rusia i ka hedhur poshtë.
“Duhet të rrisim ndërgjegjësimin e publikut amerikan për përmasat e ndihmës evropiane për Ukrainën e cila ka shpëtuar jetë ukrainasish,” thuhet në dokument, duke iu referuar pretendimeve të kandidatit për president të Shteteve të Bashkuara Donald Trump se ndihma evropiane për Ukrainën ishte shumë më e vogël se ajo e SHBA-së.
Që kur filloi agresioni rus në Ukrainë në vitin 2022, BE-ja i ka dhënë Ukrainës 107 miliardë euro dhe ka premtuar 50 miliardë euro të tjera për katër vitet e ardhshme. Këshilli Amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë vlerëson se mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën kap shifrën e 107 miliardë dollarëve.
Top Channel