Egnatia bie pas penalltive ndaj Borac Banja Luka dhe eliminohet nga Champions League.
Në “Elbasan Arena” kushtëzuar edhe nga humbja minimale 1-0 një javë më parë, Egnatia e nisi ndeshjen me ritmin dhe intensitetin e duhur, me dëshirën për të dominuar kundërshtarin dhe për të gjetur sa më shpejtë golin.
Një nisje shumë e mirë që solli edhe avantazhin për rrogozhinasve, me Ibrahimoglu që realizoi golin e parë të mbrëmjes në minutën e 16-të.
Ndërsa në një moment pasigurie te Egnatia solli golin e barazimit në minutën e 30-të, me Lukic që shënoi për Borac Banja Luka, me pjesën e parë që u mbyll në barazim.
Egnatia e kërkoi me ngulm golin e dytë dhe shtatë minuta nga fundi kohës së rregullt, falë një aksioni model, Joel Doukouo gjeti rrjetën dhe e çoi ndeshjen në shtesë dhe te penalltitë.
Aleksi dhe Lushkja gabuan te goditje e penalltive, duke bërë që Egnatia të mbyllë rrugëtimin në Champions League.
Tashmë, Egnatia do të luajë në raundin tjetër, por në UEFA Conference League ndaj islandezëve të Vikingur Reykjavik./ SuperSport
Top Channel