Vala e të nxehtit afrikan, Greqia mbyll Akropolin! Ndalohet puna në diell nga ora 12:00 deri në 17:00

17/07/2024 21:42

Temperaturat kanë kaluar mbi 40 gradë sot në shumë zona të Greqisë kontinentale dhe sinoptikanët parashikojnë që deri të premten i gjithë vendi do përballojë një valë të re të të nxehtit të padurueshëm.

Ministria e Punës ka këshilluar gjithë punëdhënësit që të ndalojnë aktivitetin e punonjësve të tyre nga ora 12 e mesditës deri në orën 17.00 të pasdites për ata që punojnë në ambientet e jashtme nëse temperaturat tejkalojnë 40 gradë Celsius deri në fund të javës ,ndërsa për nënpunësit e administratës ka stimuluar edhe punën nga shtëpia.

“Prioriteti kryesor është shëndeti dhe siguria e punëtorëve. Siç e dini, Greqia po përjeton një valë të nxehtë të fortë këtë javë, veçanërisht nga sot e mërkurë deri të premten. Dhe për këtë arsye specifike dhe në vijim të një buletini urgjent të Autoritetit Kombëtar Meteorologjik, ne kemi dhënë masa mbrojtëse për punëtorët që punojnë jashtë nga ora 12 deri në 17:00 për këto tre ditë, e mërkurë, e enjte, e premte. Dhe kjo vlen për punët manuale të kryera jashtë, si punët e ndërtimit, transportet dërgesat etj”, tha ministrja e Punës, Niki Kerameus.

Në të njëjtën ditë Ministria e Kulturës e Greqisë urdhëroi mbylljen e Akropolit, atraksionit më të madh kulturor të vendit, në të njëjtin orar për këto ditë ,pas paralajmërimit të autoriteteve  për kushte ekstreme në pjesën më të madhe të vendit.

“Nxehtësia është e pabesueshme. Duhet të qëndrosh e hidratuar, të pish sa më shumë lëngje  dhe shpresojmë se do të mbijetojmë në këto kushte moti”, u shpreh një turiste.

Meteorologët kanë theksuar se ajri i nxehtë nga Afrika parashikohet të mbizotërojë mbi Greqi të paktën deri të dielën, me valën e të nxehtit që arriti kulmin sot me temperatura që kaluan 43 gradë Celsius.

Thuajse të gjitha bashkitë e vendit kanë vënë në dispozicion për qytetarët hapësira publike të brendshme me ajër të kondicionuar. Edhe specialistët kanë paralajmëruar njerëzit të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të pinë ujë shpesh.

Kushtet e tejskajshme të motit kanë qenë shkaktare edhe për shpërthimin e disa zjarreve  në disa zona të vendit duke përfshirë një pyll të madh pishe në Korinth në Greqinë jugore, aty ku dhjetëra zjarrfikës me mjete nga toka edhe ajri po luftojnë me flakët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA