PD në garë me PS për diasporën: Të votojnë edhe emigrantët jo rezidentë, KQZ të identifikojë një operator postar me reputacion ndërkombëtar

17/07/2024 19:51

Demokratët u ulën të shkruajnë propozimet për votën e diasporës  pasi socialistët   nxituan të parët të depozitojnë draftin e tyre në Kuvend që i mundëson emigranteve votën në zgjedhjet e 2025.

Ndryshe nga të majtët, të djathtët kërkojnë që  e drejta e votës  ti  garantohet jo vetëm emigrantëve rezidente, por edhe atyre që nuk  kanë një adresë te deklaruar në shtetit ku ata janë zhvendosur.

“Të drejtën e votës nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë e ka çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote që për arsye banimi, pune, studimi, shërbimi ushtarak, apo kurimi, ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në datën e zgjedhjeve”, thuhet në propozimin e siguruar nga Top Channel.

Propozimi i demokratëve parashikon që KQZ të udhëheqë procesin e regjistrimit të emigrantëve. Hartimi i listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë fillon 100 ditë para datës së zgjedhjeve.

“Lista e zgjedhësve jashtë vendit është një listë e vetme në shkallë vendi dhe përmban listën e shtetasve shqiptare që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Regjistrimi i zgjedhësve jashtë vendit realizohet nga KQZ-ja”, thuhet ne propozimin e PD, siguruar nga Top Channel.

Opozita kërkon votim me poste për diasporën, por ndryshe nga socialistët ajo kërkon garanci duke i ngarkuar KQZ detyrën që të përzgjedhë me procedurë të hapur një operator postar me eksperiencë dhe reputacion ndërkombëtar.

“Është zgjidhja  me e mire dhe që siguron votë për secilin qytetar shqiptar  që jeton jashtë territorit të Republikës  së Shqipërisë”, deklaroi Gazment Bardhi pas mbledhjes së grupit të PD.

Pika e vetme ku demokratët takohen me socialistët është se asnjë nga draftet nuk parashikon mandate të dedikuara për diasporën,  por propozohet që vota e tyre të përllogaritet në zonën ku ata kanë  pasur vendbanimin e tyre të fundit në Shqipëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA