Fiks Fare/ Policët parkojnë mjetet private kudo duke shkelur rregullat, shmangin gjobat me simbolet e Policisë

17/07/2024 20:55

Policët parkojnë automjetet private  kudo që të mundin edhe pse shkelin rregullat.  Ata përdorin stema, tabela, kapele, simbole të policisë së shtetit madje edhe numrat e telefonit që nisin me 41, vetëm e vetëm për të shmangur gjobat.

Fiksi bëri një vëzhgim nëpër rrugë të Tiranës kryesisht pranë komisariateve, rrugëve përreth tyre, si dhe parkingjeve të rezervuar për resident.

Mbrapa Komisariatit Nr. 4 në Tiranë sinjalistika tregon se  është një rrugë me dy kalime dhe është e ndaluar pushimi i mjetit apo edhe parkimi. Ndërkohë që është plot me mjete private të punonjësve të policisë, të cilët për mos u gjobitur përdorin stema, tabela të policisë. Nuk mungojnë dhe rastet që kanë vendosur numrin e telefonit në xham,  numra telefoni që përdoren nga polica e shtetit pasi janë me 41 ,për të treguar se janë punonjës policie.

Mjeti me targë AB704FA pikërisht në xhamin e parë ka vendosur stemën e policisë, pas tij është një tjetër mjet me targë AB232LP, i cili krahas tabelës së policisë ka vendosur një fletë gjobe fiktive, si për të treguar se është gjobitur.

Në të gjithë rrugën ku ndalohet parkimi vërehen makina private të policisë siç është edhe një mjet me targë AB557MZ  dhe tjetri me targë AB898FC i cili ka vendosur pikërisht një simbol të policisë.

Në të gjithë gjatësinë e rrugës janë makinat personale të punonjësve të policisë të parkuara në mënyrë të gabuar në kundërshtim me rregullat dhe të gjitha kanë emërues të përbashkët një simbol të Policisë së Shtetit  për të shmangur gjobat, ndryshe nga qytetarët e tjerë.

Dhe qëllimi është arritur pasi asnjë nga këto automjete nuk është gjobitur as nga policia bashkiake dhe as nga policia rrugore edhe pse janë kokë e këmbë në kundërshtim me sinjalistikën e vendosur. Shkelja shkon edhe duke parkuar në vijat e bardha të këmbësoreve, duke e bllokuar komplet kalimin e këmbësoreve. Madje makinës që është parkuar në këtë mënyrë nuk ka as targën e përparme, por ka simbolet e policisë.

E njëjta situatë është edhe në rrugicën ku tabela shënon se parkimi është vetëm për rezidentët.  Sheh makina të parkuara që nuk mbajnë stemën e rezidentit, por atë të policisë së shtetit. E njëjta situatë është edhe në rrugën kryesore para komisariatit edhe pse tabela thotë ” Ndalim parkimi”.

Por përveçse parkohen mjetet e punonjësve të policisë, kamera e Fiksit kapi edhe një automjet me targa të huaja që kishte tabelën shitet, por me stemën e policisë për mos u gjobitur.

Vëzhgimi i Fiksit shtrihet edhe pranë Komisariatit Nr. 2 në Tiranë , situata është e njëjtë në çdo rrugë, rrugicë madje edhe mbi trotuare përreth këtij komisariati. Konstatohen mjete private të punonjësve të policisë, të cilët parkojnë kudo dhe në çdo mjet vërehen simbole të policisë.

Edhe pranë Komisariatit Nr.1 , shihen mjete private të punonjësve të policisë të parkuara kudo kundra tabelë. Madje këtu kamera e Fiksit kap një automjet  me targë AA477OD që ka parkuar  në vendin e rezervuar për invalid duke përdorur tabelën e policisë.

Situatë mjaft kaotike Fiks Fare konstatoi edhe pranë Drejtorisë së Policisë në Tiranë, përgjatë Bulevardin “Bajram Curri” dhe nëpër rrugicat e lagjes përreth,ku tabelat vertikale tregojnë qartë: Ndalim parkimi, rrugë kalimi e dedikuar për autobusë, por e gjithë korsia është e zënë nga mjete private të punonjësve të policisë.

Pas vëzhgimit Fiksi kontaktoi me policinë rrugore, ku pranë grupit të xhirimit të Fiks Fare erdhi një patrullë. Së bashku me inspektorët u bë verifikimi i mjeteve të punonjësve të policisë të cilët kishin parkuar në kundërshtim me rregullat e kodit rrugor. Drejt tyre u morë masë administrative gjobë 3.000 lekë. Dy automjete u konstatuan me targa të huaja po të punonjësve të policisë, ku inspektorët njoftuan policinë bashkiake të cilët vendosën bllokues gome. U hoqën edhe targat e këtyre dy mjeteve  dhe u morë edhe masë administrative. Njëri prej inspektorëve pohoi për Fiksin se parkimet e këtyre mjeteve në vend të palejuar bëhen shkak edhe për rëndimin e trafikut.

Ligji është i barabartë për të gjithë, prandaj për të gjithë shkelësit e tij pavarësisht detyrës që kanë  duhet të penalizohen.

FOTO GALERI
4/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA