Nisma për llogaridhënien e KLSH në Kuvend, debate në Komisionin e Ekonomisë, opozita: Lëvizje tipike politike

16/07/2024 20:19

Nisma, e cila pritet të votohet në seancë plenare, parashikon ngritjen e nënkomisionit “Për Auditimin e Sektorit Publik” ka si fushë kryesore të punës së tij “llogaridhënien e KLSH në Kuvend”, një institucion i pavarur kushtetues dhe institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar.

Duke folur të martën në nisje të mbledhjes së parashikuar për raportimin vjetor të kreut të KLSH-së, Shalsi tha se kishte ardhur koha “për të ndërtuar një marrëdhënie të re mes Kuvendit dhe KLSH-së”.

Ndërkohë, ndryshe nga projetkvendimi që pritet të miratohet, Shalsi tha se drejtimi i nënkomisionit nuk mund të jetë bipartizan, me bashkëkryetarë nga opozita dhe mazhoranca.

“Nuk do të jetë një nënkomision që do të operojë mbi baza bipartizane. E tillë është eksperienca e shumë vendeve, që na sugjerojnë edhe partnerët tanë,” njoftoi ai.

Nisma u prit me rezerva dhe akuza për tentativa për cënim të pavarësisë së këtij institucioni nga disa deputetë të komisionit.

Deputeti i PD-së, Edmond Spaho e cilësoi “një lëvizje tipike politike”.

“Këtu nuk është problemi të krijojmë nënkomisione po të pranojmë raportet e KLSH-së,” tha ai.

Ndërda Jorida Tabaku kritikoi Shalsin për përdorimin e një standardi të dyfishtë ndaj institucioneve të pavarura në raportimet e tyre në komision.

“ Çfarë kuptoni me një raport të veçantë?”- e pyeti ajo Shalsin, duke aluduar se ky raport nënkuptonte se “më pëlqen një institucion i caktuar edhe hajde bëjmë bashkë rezolutën dhe nuk më pëlqen një institucion i caktuar dhe hajde t’i bëjmë një auditim financiar këtij institucioni ?”

Duke e cilësuar një “sulm ndaj institucioneve të pavarura” ajo akuzoi Shalsin se kishte cënuar integritetin e komisionit duke kërkuar nga auditues privatë pyetje për kreun e KLSH-së.

“Të gjithë kemi paqartësi dhe pyetje ndaj KLSH por kurrë nuk kam marrë raporte t’ia çoj audituesve të pavarur që ta shohin punën tek auditues që janë në konflikt interesi”- tha ajo, ndërsa vlerësoi se fryma e krijuar me raportimin vjetor të KLSH-së tregonte një tentativë për sulmuar një institucion të pavarur.

Edhe deputeti socialist, Frrok Gjini ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si kryetari i komisionit po trajtonte raportimin e KLSH-së.

“KLSH të jetë i pacënueshëm dhe i pavarur, të mos e trajtojmë me 2 standarde”- iu drejtua ai Shalsit.

Shalsi sqaroi se nënkomisioni ishte sugjeruar nga organizata ndërkombëtare që kishin asistuar Kuvendin në përmirësimin e praktikave të mira parlamentare, ndërsa mohoi akuzat se kjo nismë ishte një tentativë për të “kapur” KLSH-në.

Vetë kreu i KLSH-së, Arben Shehu, tha se ai mirëpriste nisma dhe diskutime të cilat do t’i shërbenin zbatimit të rekomandimeve të lëna nga raportet e auditimit të këtij institucioni.

Një liste prej 60 pyetjesh me shkrim të drejtuara atij nuk arriti të merrte përgjigje në seancën dëgjimore të së martës, duke u shtyrë për një seancë maratonë të mërkurën.

Në raportin e fundit të dorëzuar në Kuvend për menaxhimin e financave publike nga qeveria, KLSH ka konstatuar një dëm ekonomik prej 72.3 miliardë lekësh për shkak të keqmenaxhimit dhe shkeljeve ligjore të kryera nga administrata shtetërore dhe vendore gjatë vitit 2023./Birn

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA