Shërbimet arsimore janë përqendruar kryesisht online, në platformën e-Albania.
Jo vetëm regjistri për vlerësimin e nxënësve është kthyer në sistem digjital SMIP, por tashmë edhe gjenerimi i dëftesave nga klasa e parë deri në të 12 do kryhet elektronikisht përmes e-Albania, pa pasur nevojë të paraqitesh fizikisht në shkolla.
Urdhri i Ministrisë së Arsimit kthen gjithashtu edhe diplomën e maturës me certifikatën e notave për të gjithë maturantët që përfundojnë arsimin e mesëm me amzë digjitale, duke dhënë mundësinë e tërheqjes të dokumentit më shumë se njëherë online. Risia e këtij viti shkollor është edhe realizimi i aplikimit për punësimin e mësuesve përmes portalit qeveritar e-Albania.
Regjistrimi i kandidatëve ka nisur elektronikisht më 4 korrik dhe zgjat 15 ditë, duke pasur kohë deri më 19 korrik për të plotësuar dosjen e konkurrimit. Pas vlerësimit të kandidaturave dhe përzgjedhjes së tyre deri më 24 korrik, hapet faza e dytë me testin e informatizuar në 25 gusht të hartuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, e në 4 shtator do të shpallet lista përfundimtare e mësuesve të kualifikuar.
Një tjetër procedurë që kryhet në mënyrë elektronike në e-albania është edhe regjistrimi i nxënësve në klasë të parë dhe në klasë të dhjetë nga data 8 korrik deri në 31 gusht. E kështu platforma e-Albania kthehet në hapësirën kryesore për marrjen e shërbimeve të sistemit arsimor.
Top Channel