Një grua që ishte shpallur e zhdukur prej vitit 1992 në SHBA raportohet se është identifikuar në një shtëpi kujdesi në Puerto Rico pas 30 vjetësh, por bashkëshorti që ajo kishte braktisur thotë se nuk do të udhëtojë për ta takuar, shkruajnë mediat.
Ish modelja ishte bindur asokohe se ‘bota po merrte fund’ dhe duket se ishte zhdukur me dëshirën e saj, teksa pas zbulimit ngjarja konsiderohet nga më të çuditshmet e personave të humbur.
Gazetarja Christina Randall tregoi historinë e Patricia Kopta fillimisht duke i fshehur identitetin, e duke publikuar më shumë detaje per gruan e moshuar qe vuan nga demenca.
Christina thotë se para zhdukjes Patricia “ishte përherë rreth qendrës së qytetit” ku mundohej t’i tregonte të gjithëve për rrezikun që i afrohej njerëzimit, por shumë nuk ia vinin veshin, siç ndodh me shumë predikues të ngjashëm edhe sot.
Në qytetin Pittsburgh njerëzit e kishin mbiquajtur ish-modelen “trumcaku” prej trupit të vogël dhe mënyrës së pazakontë të të ecurit.
Por në vitin 1992, u zhduk nga qyteti vogël i klasës punëtore. “Ajo u zhduk pa lënë gjurmë, la burrin, motrat e vëllezërit, të cilët nisën të kërkonin të dëshpëruar”, thotë Christina.
Bashkëshorti i saj Bob tregonte asokokohe për zhdukjen e papritur të Patricia. “Erdha në shtëpi një natë dhe ajo nuk ishte asgjëkundi, askush nuk dinte u ndodhej”.
Me kalimin e viteve dhe pa asnjë shenjë të Patricia, Bob nisi të besonte se ajo kishte vdekur. Rrjedhimisht ai mori dhe çertifikatën e vdekjes të Patricia dhe nëna e motra e gruas vdiqën pa mësuar se ku gjendej ajo.
Në mënyrë po aq të mistershme sa zhdukja e saj, një grua që ngjante shumë me Patricia dhe si ajo predikonte në rrugë, u pa në ishullin e Puerto Rico në Karaine. Ajo nuk tregonte prejardhjen dhe me përkeqësimin e shëndetit mendor zyrtarët e vendosën në shtëpinë e kujdesit, deri sa u konfirmua se 83-vjecarja ishte në fakt Patricia Kopta.
Motra tjetër e Patricia Gloria tha: “Ne vërtet besonim se kishte vdekur pas gjithë atyre viteve, ishte shikuese por jemi të lumtur që është gjallë. Do të shkoj sa më shpjet për ta takuar”.
Ndërsa bashkëshorti Bob, tashmë 86 vjeç, tha se nuk ka në plan të takohet me gruan e humbur prej kohësh, por shtoi se është i lumtur që dikush kujdeset për të.
Top Channel