Fiks Fare/ “Lumit i doli pronari”, banorët e Imshtës në Lushnjë: Pronë shtetërore. Blerësi: E bleva me dokumentet e shtetit!

12/07/2024 20:40

Banorët e fshatit Imshtë në Lushnje protestojnë se qindra hektarë buzë lumit Seman u ka dalë pronari.

Sipas tyre, prona është brenda argjinaturës dhe ligjet e parashikojnë si “pronë shtetërore”. Por, një individ u ka shkuar me letra kadastre për ta rrethuar dhe zhvilluar. Pronari i ri, Elton Çekrezi tha se e bleu me dokumente të vetë shtetit. Pra, nga njëra anë shteti përcakton se toka midis dy argjinaturave është shtetërore dhe nga ana tjetër certifikon dhe i kthen një pronari një pronë të tillë!

“Te këto toka ka qenë fshati, tani po na i marrin. Këto toka janë brenda argjinaturës që është ndërtuar në vitet ’60. Ligji e parashikon se toka brenda këtyre argjinaturave është tokë shtetërore. Ne s’e kuptojmë se si i doli pronari. Këtu kanë ardhur dhjetëra pronarë që e pretendojmë. Disa i kemi përzënë. Këtë tokë ne s’e ndamë me ligjin 7501. Ishte pyll dhe tokë e lumit. Këtu në dimër del lumi dhe e përmbyt. Ndërtuam argjinaturat dhe tani s’del më. Në verë e punojmë secili një pjesë dhe e mbjellim. Tani këtu erdhën me policira, me përmbarim dhe me pronë. Ne as i njohim. Nuk e di si i kanë bërë letrat. Këta regjistrojnë qindra hektarë për vete. Ne si fshat s’kemi regjistruar pronat tona. Si i bënë letrat këta, kur ajo është tokë lumi, buzë lumit? Ne pse s’na i bëjnë letrat?” pohojnë banorët.

Banorë të tjerë shtojnë se para disa ditësh ka ardhur edhe policia dhe përmbarimi. “Donin ta rrethonin, por ç’të rrethojnë? Lumin dhe argjinaturën që është ndërtuar” thonë ata. Sipas tyre, për këtë problem janë interesuar edhe ligjvënës (Erion Braçe), i cili ka pasur një letër-këmbim me Agjencinë e Trajtimit të Pronave. Vetë ATP-ja thotë se “nga verifikimi web-gis, sipas hartës plan-vendosje, s’ka pronë atje”. “Tani kur ATP-ja thotë s’e kam trajtuar, si erdhën këta? Si e regjistruan në Kadastër? Ne kërkojmë që të hetohet origjina e kësaj prone, si është marrë. Se deri më tani policia është marrë vetëm me ne, na kanë shoqëruar dhe proceduar se po mbrojmë tokën e shtetit. Ne s’e pretendojmë atë pronë, prandaj s’e ndamë në vitin 1991. Tokë lumi dhe ashtu e lamë. Por jo t’na e marrin” përfundojnë ata.

Ligji me numër 111 i vitit 2012 për “menaxhimin e integruar të burimeve ujore” përcakton se “hapësira e tokës deri në argjinaturë, është pronë e shtetit dhe e patjetërsueshme dhe e papërshkrueshme”. “Janë në pronësi të shtetit dhe në administrim të organeve shtetërore – Të gjitha shtretërit e lumenjve … Toka e përfituar nga tërheqja e ujit ose nga përparimi i tokës në drejtim të ujit kur ajo lidhet me tokën. Të gjitha strukturat dhe punimet hidroteknike të realizuara nga shtetit si digat, sistemet e ujitjes, kullimit, lundrimit”. Ndërkohë, më pas ka dalë edhe VKM për zbatimin që parashikon se tokat mes dy argjinaturave janë shtetërore.

Fiksi bisedoi edhe me z. Elton Çekrezi, i cili thotë se tokën e ka blerë. Sipas tij, janë bërë disa gjyqe për lirimin e tokës dhe se ajo është e familjes Xhindoli. Pyetjes se është brenda dy argjinaturave, na thotë se argjinatura është bërë në vitet ’60 dhe se familja e ka përftuar tokën në vitin 1999 me vendim dhe kthim kompensimi. Ka pyetur në Lushnje dhe i kanë thënë se është tokë pa probleme. Në lidhje me dokumentin e ATP, thotë se kërkesa është bërë për web gisin dhe se dosja ka qenë atje. “Nëse është dhënë në mënyrë të paligjshme, përse ka hipotekë?” pyet ai.

Pra, e njëjta pronë ku pronari dhe blerësi kanë marrë certifikatë nga KADASTRA dhe nga ana tjetër ATP-ja dhe ligji që e ndalojnë të privatizohet. Fakt është se për këtë pronë janë në konflikt qindra banorë me pronarë dhe blerës, ku të vetmit që nuk hetohen janë zyrtarët shtetërore që e kanë certifikuar.

FOTO GALERI
4/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA