Pak ditë pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare, Top Channel ka sjellë edhe njëherë për publikun dokumentarin e realizuar për jetën e tij në 75 vjetorin e lindjes.
Në puntatën e radhës të “Exclusive”, teksa i rrëfehej Pirro Milkanit, Kadare tregonte gjithë jetën e tij nga shkrimi i vjershave të para në shtëpinë e tij në lagjen Palorto të Gjirokastrës e deri te përkthimi i romaneve në mbi 45 gjuhë të huaja.
“Nga shtëpia shihet një pjesë e madhe e qytetit dhe komentoheshin ngjarjet që dëgjoheshin. Një pjesë e shtëpive dukej me shi. Nëse ndodhte një skandal në një shtëpi 400 metra larg, kjo shihej. Ishte një lloj teatri i vazhdueshëm. Më kujtohej në mbrëmje dëgjohej një kambanë e veçantë dhe ishte ajo e rojeve të burgut që provonin hekurat e burgut. Kjo i kujtonte gjithsecilit që kishte një burg”, tregonte Kadare, teksa përshkruante shtëpinë ku lindi, por edhe qytetin e Gjirokastrës, subjekt në disa prej librave të tij.
Kolosi i letërsisë shqipe tregonte edhe eksperiencat e para të botimit të vjershave teksa ishte vetëm 11 vjeç.
“Kam dërguar një vjershë në gazetën që quhej ‘Letrari i ri’. Ishte viti 1947, isha 11 vjeç. Ata më jepnin përgjigje që mua më bënte qesharak pasi thoshin që kjo që bën ti nuk është letërsi. Por mua mu duk mrekulli që pashë emrin tim të shtypur në gazetë. Botuan një nga strofat që ishte për të vënë duart në kokë, sigurisht. Thoshin që ‘duhet ta dini që para se të shkruajë njeriu, duhet të lexojë’. Por mua mu duk një mrekulli, pasi më botuan katër radhë”.
Në shoqërinë e re që krijoi në Tiranë, shquhej portreti i një vajze të re, Helena. Studentja me gërshetë ngjyrë ari, shumë shpejt do të bëhej njeriu më i afërt i Kadaresë.
“Ismaili ishte shumë i njohur në rrethet letrare. Kishte shumë të rinj që i përpinin vjershat e tij. Ishte një figurë e njohur për ne të rinjtë. Të gjithë shokët dhe shoqet e mia të klasës e dinin simpatinë time të jashtëzakonshme sepse unë ia dija vjershat përmendësh. Në atë kohë letërsia ishte i vetmi gëzim. Midis kësaj shoqërie shumë artdashëse vjen kjo letër dhe letra ishte me 3 rreshta ‘lexova tregimin tuaj, më pëlqeu. Shkruani dhe mos u trembni. Ismail Kadare”. E mori vesh gjithë gjimnazi”, thotë Helena, bashkëshortja e Ismail Kadaresë.
Top Channel