Vrasja dhe torturimi i oficerëve të policisë në ’97/ GJKKO i kërkon Gjykatës së Lartë të shprehet për “Masakrën e Qafë Gjashtës”

02/07/2024 17:50

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion i ka deleguar për zgjidhje Gjykatës së Lartë kërkesën për Alqi Pagunin, 53 vjeç ish i dënuar në mungesë për “Masakrën e Qafë Gjashtës”.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se Alqi, i dënuar me 15 vite burg në mungesë ka kërkuar shuarje të dënimit për shkak të parashikimit.

Gjyqtarja Flora Hajredinaj i ka dërguar Gjykatës së Lartë për zgjidhje mosmarrëveshje duke i dërguar aktet e gjykimit.

Alqi Paguni bëri kërkesë në Gjykatën e Sarandës për shuarje dënimi  së bashku me disa të tjerë, pasi është akuzuar se në 1997 është përfshirë në “Masakrën e Qafë Gjashtës”, ku u vra oficeri Gjergj Mehmeti, u torturua oficeri Eduart Alia dhe u tentua të vriteshin edhe oficerë të tjerë.

Në lidhje me këtë u arrestuan 5 persona dhe dosja u gjykua nga ish Krimet e Rënda.

Paguni u la i lirë pak vite më vonë sepse arrestimi i tij u vlerësua i paligjshëm nga Gjykata e Lartë, çka solli dhe largimin e tij në drejtim të paditur.

Top Channel