Ismail Kadare iku pa dramaticitet, shprehet mikesha e afërt e shkrimtarit dhe studiuesja e njohur e letërsisë, Alda Bardhyli.
Në një lidhje live për edicionin e lajmeve në Top Channel, Bardhyli tha se Kadare nuk ka lënë pa botuar asnjë vepër të rëndësishme, të realizuar prej tij.
“Nuk e kishim menduar fundit kaq të afërt, por iku i qetë, pasi e kishte realizuar botimin e plotë të veprave, që e vendosin kontributin e tij në panteonin e madh të letërsisë botërore. Ai nuk e përmendte vdekjen, edhe pse vdekja është shumë e pranishme në veprat e tij, duke e parë si një proces që vjen pas një tiranie të madhe ose kundërvënies së sistemit”.
Vepra e Kadaresë, sipas studiueses, paraqet Shqipërinë evropiane.
“Vepra e tij ishte një vepër që i foli kohës, idealeve të larta, një vepër që do t’i tregojë botës një Shqipëri të bukur dhe tërësisht evropiane”.
Duke treguar për bisedat me kolosin e letërsisë shqiptare, Bardhyli theksoi se “do të mbeten të paharruara, më bëjnë me fat që kam pasur mundësi të jem pranë një mendjeje të madhe të shekullit 21”.
Top Channel