Nga Abaz Hado:

Shumë pikëlluese është ndarja fizike nga jeta e shkrimtarit të madh me përmasa botërore, Ismail Kadare. Për të gjithë shqiptarët, prezenca e tij fizike i jepte shpirt dhe krijonte modelin e gjeniut që jetonte mes popullit, si një frymëzim herë njerëzor e herë hyjnor.

Disa muaj më parë, Henri Çili nisi të hedhë idenë e një albumi me vepra arti, kushtuar Kadaresë. Ashtu si të gjithë ne, Henri shprehte një adhurim të veçantë për të dhe për veprën e tij. Duke e deleguar këtë ide në Departamentin e Artit, menjëherë u befasuam nga shumë vepra të realizuara nga artistë të artit pamor nga Shqipëria, Kosova dhe një numër artistësh nga bota. Ishte dhe një bashkëpunim emocional me znj. Elena Kadare, por dhe shkrimtarin. Ata e prisnin këtë album me emocion të veçantë, pasi shpreh qartë respektin që kishin kolegët e tij piktorë, skulptorë, karikaturistë, vizatues.

Tani që e kemi të plotë të gjithë veprën kushtuar shkrimtarit, kuptojmë se kështu duhet të paraqitet një figurë e tillë, me këto përmasa. Mbi 150 vepra te ndryshme arti të shtrira përgjatë shumë viteve: të gjitha krijime ndiesore të artistëve të njohur dhe të rinj, madje dhe nga kolegë shkrimtarë. Ne që po punojmë mbi këtë Album të veçantë, ndiejmë keqardhje që ai nuk arriti ta shohë të përfunduar. Ai iku si një njeri dhe krijues hyjnor, i vlerësuar dhe i respektuar për atë që krijoi dhe që na la si trashëgimi.

Duke punuar na vinin vazhdimisht të dhëna mbi artistë të ndryshëm që kishin vepra  kushtuar Kadaresë. Gjetëm një vepër të hershme të Vilson Kilicës, ku kishte pikturuar Kadarenë në moshë të re. Vizatime të Dhimitër Shuteriqit, Andon Kuqalit, Kujtim Spaivoglit, dhe tani jemi në kërkim të një portreti krijuar shumë vite më parë nga Skënder Kamberi. Ky seriozitet na mundësoi të gjenim pothuaj të gjitha veprat kushtuar Kadaresë. Në fillim menduam ta botonim më 21 qershor, por na vinte keq ta mbyllnim aty, ndërsa na vinin të dhëna të reja. Me këtë rast falënderojmë të gjithë ata që kontribuuan, duke na sjellë vepra apo informacione mbi vepra të caktuara.

Në të gjithë këtë punë kuptuam se shkrimtari Ismail Kadare ka mbi 150 vepra të ndryshme arti që i kushtohen figurës apo portretit të tij fizik. Këtu nuk llogarisim shumë portrete dhe kompozime nga Bashkim Ahmeti dhe pjesa e artit që ilustrojnë apo kanë marrë motive inspiruese nga vepra e shkrimtarit. Është personaliteti që vjen pas Skënderbeut dhe Enver Hoxhës, të cilit dihet që i kanë krijuar vepra të porositura, me të cilin është pothuaj në të njëjtat shifra, duke përshirë dhe Nënë Terezën.

*Kurator i albumit “100 IMAZHE- Kadare në artet figurative”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA