Debati në Kuvend/ Bardhi: Ministri i Financave nuk kthen përgjigje! Balluku: Më thuaj kush nuk të jep informacion, por s’të takon ty…

27/06/2024 11:14

Opozita akuzon ministrat e kabinetit qeveritar se nuk kthejnë përgjigje, duke mos respektuar të drejtën për informim.

Sipas Gazment Bardhit, ministri i Financave, Ervin Mete, prej dy muajsh nuk kthen asnjë përgjigje. Të njëjtën gjë ai e pretendon edhe për ministra të tjerë si dhe për kryeministrin Edi Rama. Në replikë për akuzën e tij, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ftoi Bardhin që t’i dërgojë një listë me zyrtarët që nuk janë përgjigjur. “Çështjen do ta shqyrtoj unë vetë, do ta shoh se ku ka ngecur dhe pse s’ka përgjigje”, tha ajo.

Balluku: Nëse keni fakte konkrete kush nuk është përgjigjur, na i thoni, në informacionin tim nuk ka asnjë ministri që nuk përgjigjet për kërkesat e deputetëve. Dërgoni një listë dhe do ta ndjekë zyra ime, por sërish nuk besoj se ju është refuzuar ndonjë kërkesë për informacion.

Bardhi: Procedura nuk është që unë duhet të vij te zv/kryeministrja kur nuk është kryeministri. Ministrin e Financave nuk e njeh askush, ka dy muaj që nuk kthen përgjigje. Nuk e kemi parë askund. Si sjellja e këtij ministri anonim, ka kolegë të tjerë që kanë kërkesa për informacion, procedura është për të drejtën e informimit në bazë të ligjin për deputetin. Kushtetuta dhe ligji zbatohet në mënyrë automatike.

Balluku: Nuk besoj se jeni këtu për të thënë sa del ministri i Financave publikisht. Unë po ju them që kemi të gjithë vullnetin për bashkëpunim. Po sado ne mundohemi, ti je aty për të na sharë. Nëse ke kërkesë që nuk ka përgjigje, ma dërgo mua dhe do ta shoh unë se ku ka ngecur dhe pse s’ka përgjigje. Se përse s’del në media ministri i Financave, kjo nuk ju takon juve.

Top Channel