Pesë njerëz kanë vdekur sot pasdite dhe pesë të tjerë janë plagosur në jug të Sllovakisë ku një tren pasagjerësh është përplasur me një autobus në një pikë kryqëzimi mes dy transporteve.
Autoritetet vendase thanë se aksidenti ndodhi pak pas orës lokale 17:00 pranë qytezes jugperëndimore Nove Zamky, raportonte agjencia vendase CTK.
Zëdhënësja e hekurudhave Vladimira Bahylova tha për rrjetin AFP se treni i linjave Eurocity udhëtonte nga Praga drejt Budapestit.
“Pesë njerëz kanë pësuar plagë të parekuperueshme dhe pesë të tjerë janë plagosur”, njoftonin grupet slovake të shpëtimit.
Zëdhënësja Petra Klimesova tha se të plagosurit kërkonin “asistencë të menjëhershme mjekësore” dhe se numri viktimave mund të rritet.
Ajo shtonte se përplasja ndodhi në një kryqëzim hekurudhor që ishte i mbrojtur me barriera dhe sinjalistikë të plotë, prandaj shkaqet e aksidentit nuk janë të qarta.
Mediat vendase publikonin video të pasagjerëve që largoheshin nga treni i cili ishte pjesërisht në flakë e tym.
Pasagjerja Katarina Molnarova, tha për rrjetin AFP se kishte ndjerë “dhe dëgjuar një përplasje” sapo treni u largua nga stacioni Nove Zamky.
“Dy minuta pas përplasjes ne mund të dilnim nga vagonët … pamë që pjesa e përparme kishte marrë flakë,” tha 43-vjecarja nga qyteti jugor i Sturovo.
“Nuk kishte ulërima ose panik … Ne morëm valixhet tona dhe dolën në rrugë … pashë që një pjesë e autobusit ishte dëmtuar nga përplasja.”
Ministri i brendshëm Matus Sutaj Estok dhe kreu i policisë slovake Rastislav Polakovic po shkonin në vendin e aksidentit njoftonin mediat vendase, teksa operacionet e shpëtimit vijonin.
Top Channel