Një person rreth moshës 70-vjeçare është mbytur në plazhin e Velipojës.
Ai ka humbur jetën teksa po lahej në Velipojë. 70-vjeçarin, shtetas malazez, e ka nxjerrë uji në breg dhe më pas është konstatuar nga pushues të tjerë të cilët menjëherë kanë njoftuar autoambulancën e Velipojës dhe policinë.
Dyshohet se 70-vjeçari ka pësuar një atak kardiak duke humbur jetën në mënyrë të menjëhershme. Sipas burimeve nga vendngjarja për afro 15 minuta trupi i pajetë ka qëndruar mbi ujë sepse pushuesit e tjerë nuk e kanë ditur se ishte mbytur derisa uji e nxori në breg.
“Rreth orës 15:05, shtetasi malazez R. B., 70 vjeç, duke u larë në det, dyshohet se ka pësuar arrest kardiak dhe si pasojë ka humbur jetën”, thuhet në njoftimin e policisë.
Është rasti i dytë brenda pak kohësh pas humbjes së jetës të shtetases Drande Marku pak ditë më parë e cila po ashtu u mbyt në plazhin e Velipojës teksa ndodhej brenda në ujë duke pësuar goditje në zemër.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Top Channel