“PD po përpilon strategjinë dhe programin e saj”, Noka zbulon dy pikat kryesore: Po bashkojmë faktorët demokratë! T’i japim vendit qeveri teknike

20/06/2024 17:14

Demokrati Flamur Noka në një lidhje me skype në emisionin Breaking në Top News zbuloi detaje nga programi i PD.

Ai tha se po bashkon të gjithë aktorët dhe faktorët e PD, për t’u përballur me qeverinë dhe për të krijuar qeverinë teknike.

“PD është duke përpiluar strategjinë e saj dhe programin e saj. Dy pika do të kemi, e para lirimi i liderit të opozitës, do të jetë kauza kryesore tek e cila do të fokusohet opozita tani, e dyta qeveria teknike, që të garantojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe të mos ketë më Shqipëria vend i NATO-s, Shqipëria e 2025-ës nën banda, në blinda, në krim të organizuar dhe shqiptarët të votojnë të lirë.

PD është duke përpiluar programin e saj, që do t’i paraqesë shqiptarëve, zoti Berisha ka lançuar disa pika ku flet për dyfishim rrogash dhe pensionesh, ku flet për 220 euro minimum jetik që do të vendoset në Shqipëri. S’do të ketë as pension, as rrogë, apo ndihmë ekonomike nën 220 euro për shqiptarët’, tha Noka.

“Jemi duke bashkuar të gjithë aktorët dhe faktorët e PD, duke zgjeruar forcën tonë politike, duke e zgjeruar për t’u përballur me këtë regjim, t’i japim vendit qeveri teknike”, shtoi ai.

Top Channel