Ukraina dhe Rusia kanë shkëmbyer sulme me dronë gjatë natës dhe mëngjesit e sotëm, një ditë pasi G7 vendosi t’i japë Kievit një hua prej 50 miliardë dollarësh duke përdorur asetet e ngrira ruse.
Forcat e Armatosura të Ukrainës deklaruan se kundërajrorët e tyre i rrëzuan të gjithë 17 dronët e llojit Shahed, me të cilët Rusia i sulmoi shtatë rajone ukrainase. Rusia hodhi gjithashtu edhe 17 raketa balistike dhe lundruese, gjysma e të cilave u rrëzuan.
Deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëme. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj i rrëzuan 87 dronë ukrainas në pesë rajone, si dhe në Gadishullin e Krimesë që është uzurpuar nga Kremlini.
Si pasojë e sulmeve ka pengesa në furnizimin me energji elektrike në rajonin Rostov dhe u dëmtuan cisternat e naftës në një depo nafte në Vorondezh, sipas autoriteteve lokale.
Sulmet ndodhën disa orë pasi liderët e G7-ës në Itali u pajtuan t’ia japin Ukrainës 50 miliardë dollarë hua. Ata do t’i shfrytëzojnë të hyrat dhe normat e interesit nga asetet e ngrira ruse prej rreth 260 miliardë dollarësh, shumica e të cilave mbahen në Evropë, për ta siguruar huan prej 50 miliardë dollarëve nga SHBA-ja dhe hua të tjera shtesë nga vendet e tjera partnere.
Top Channel