Festim Xhafaj, efektivi i komisariatit të policisë së Himarës, i shpallur në kërkim pasi dyshohet për përndjekje ndaj koleges së tij, është arrestuar mbrëmjen e së enjtes.

Ndaj tij rëndojnë akuza edhe për dhunë në familje si dhe mosbindje të urdhrit të punonjësit të policisë.

Efektivi Xhafaj akuzohet se më 3 maj ka përndjekur kolegen dhe më pas përplasi automjetin e saj me makinën e tij. Pas ngjarjes që ndodhi në rrugën kryesore të Himarës, Xhafaj u largua me shpejtësi, duke e braktisur mjetin në Vlorë. Sipas njoftimit të policisë më 10 maj, në automjetin e policit u gjetën në cilësinë e provës materiale edhe dy armë të ftohta.

Burimet nga grupi i hetimit bëjnë me dije se Festim Xhafaj dhe punonjësja e policisë kanë qenë të lidhur për disa kohësh. Madje ishin pezulluar edhe nga detyra sepse ishin fotografuar duke u puthur në makinë gjatë orarit të punës.

Kohët e fundit dy të rinjtë kishin patur debate dhe zënka. Pas sherrit me njeri tjetrin, efektivja ishte larguar ndërsa Xhafaj e ndoqi dhe e përplasi me makinën e tij. Punonjësja e policisë dëshmoi në polici, ku ka pohuar problemet që ka pasur me të dashurin e saj, që pas 33 ditëve arrati do të duhet të përballet me drejtësinë.

 

Top Channel