Bojkoti i demokratëve deri më tani nuk e ka ndalur hovin e socialistëve për të ecur përpara me Komisionin Antikorrupsion, ku nisja e punës së kësaj strukture të re parlamentare është në dorë të kryetarit Fatmir Xhafa për të thirrur mbledhjen e parë konstituive.
Me forcën e kartonëve mazhoranca emëroi jo vetëm anëtarët socialist, por edhe ata demokrat në komisionin e posaçëm. Demokratët kanë qasje refuzuese ndaj kësaj iniciative pasi qeverinë e shohim si problem të korrupsionit dhe jo si zgjidhje.
“Nëse do merrte opozita pjesë nuk do ishte as më shumë as më pak se një modele në sfilatën Antikorrupsion të Edi Ramës dhe kjo do e zhvlerësonte opozitën. Në momentin që ka një mendim që korrupsioni po luftohet ndërhyn mazhoranca. Minimalisht përqasja më e mirë do ishte të lerë SPAK në hije, dhe përqasja më e keqe është që të kontrollojë SPAK”, shprehet Xhaferraj.
Por, ndërsa demokratët kanë qëndrim kundërshtues, aleati i tyre Fatmir Mediu, i cili ka vendosur të pranojë të ulet në karrigen e komisionit të Dezinformimit, e sheh si mundësi që opozita të negociojë kërkesat e saj me mazhorancën për reformën zgjedhore, e cila ka mbetur pezull.
“Opozita duhet ta kushtëzojë marrëdhënien aty ku i ka problemet krimi dhe korrupsioni. Krimi dhe korrupsioni i ka rrënjët tek zgjedhjet. Krimi i organizuar bashkëpunon me qeverinë për të intimiduar dhe kërcënuar votuesit, për të blerë vota”, shprehet Mediu.
Demokrati Ferdinand Xhaferraj nuk ndan të njëjtin qëndrim. Ai i mbyll derën negociatave dhe është i mendimit se një nisme e tillë mund të jetë produktive vetëm në kohë dhe kushte të ndryshme.
“Që në fillim të komisionit t’ia besonte opozitës atëherë mund të krijohej bindja, se mazhorancë ka kuptuar që ka dështuar dhe është kthyer problem serioz që mund të pengojë anëtarësimin në BE, Pas zgjedhjeve te 2025 mund të krijohen hapësirat për të ndërmarrë iniciativa të tilla”, thotë ai.
“Ka mënyra për të gjetur një rrugë komunikimi, por duket që ndarja politike tashmë është bërë po dhe jo”, shprehet Mediu.
Ndryshe nga aleati historik, demokratët për momentin kanë vendosur të lënë bosh karriget e tyre në të dyja komisionet e ngritura nga të majtët.
Top Channel