Gjykata e Tiranës vendosi masën “arrest në burg” Elvis Mirin, pasi prej vitit 2016 ai merrte tendera për trajtimin e mbetjeve spitalore me dokumente false dhe pa pajisje.
Sipas Prokurorisë, Miri merrte tendera për trajtimin e mbetjeve spitalore për t’i kthyer nga të dëmshme në të padëmshme.
Për këtë procedurë nevojitej pajisja Econos Tsc 150 dhe një incenerator për trajtimin e mbetjeve spitalore. Por edhe pse nuk i kishte këto pajisje Ervis Miri për 8 vite ka marrë 200 tendera.
“Ka marrë pjesë në mbi 200 procedura tenderi për asgjësim mbetjesh spitalore, prej vitit 2016 e në vijim, duke dorëzuar dokumentacion të rremë. Personi në hetim, pretendonte se kishte kapacitete për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve spitalore duke i kthyer ato nga të dëmshme në të padëmshme por nga hetimi rezultoi se i mungonin pajisjet për ta realizuar një gjë të tillë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Gjykata e Tiranës vendosi masën “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarisë financiare”, për E. Sh., 45 vjeçe dhe L. Sh., 39 vjeç, administratorë të dy subjekteve, për veprën penale “Falsifikimi i dokumentave”.
Ndërsa janë pezulluar nga detyra dhe ndalohen të dalin jashtë vendit personat J. Sh., 35 vjeçe, E. P., 59 vjeç, A. M., 53 vjeç, N. D., 42 vjeç, A. K., 39 vjeçe, B. L., 30 vjeçe, I. B., 48 vjeç dhe K. A., 33 vjeç, të dyshuar për shpërdorim detyre.
Njoftimi i plotë i policisë:
Finalizohet pas një pune të mirëfilltë hetimore, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor “Recycling”.
Në kuadër të tij u ekzekutuan masat e sigurisë:
1. “Arrest në burg”, për shtetasin E. M., 30 vjeç, banues në Krujë (administrator i një subjekti), për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Menaxhimi i mbetjeve” dhe “Aktivitetet e rrezikshme”;
2. “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarisë financiare”, për shtetasen E. Sh., 45 vjeçe, banuese në Tiranë (dministratore e një subjekti), si dhe për shtetasin L. Sh., 39 vjeç (administrator i një subjekti), për veprën penale “Falsifikimi i dokumentave”;
3. “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për shtetasit J. Sh., 35 vjeçe, E. P., 59 vjeç, A. M., 53 vjeç, N. D., 42 vjeç, A. K., 39 vjeçe, B. L., 30 vjeçe, I. B., 48 vjeç dhe K. A., 33 vjeç, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet subjekteve që administronin, kanë patur një tender për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore për spitalin e Beratit. Njëri nga subjektet ka fituar tenderin për trajtimin e mbetjeve dhe në dokumentacionin pjesëmarrës në tendera është përdorur një shoqëri tjetër, e cila nuk ka patur teknologjinë e duhur, ndaj mbetjet e një spitali nuk janë asgjësuar sipas procedurës ligjore, për pasojë kanë krijuar problematika në shëndetin e njerëzve dhe në mjedis. Materialet i kaluan Prokurorisë.
Top Channel