Operacion kundër klandestinëve, 26 të arrestuar, mes tyre një polic! U gjetën laborator për falsifikimin e parave, armë, dokumente të rreme

07/06/2024 14:45

Dhjetëra persona janë vënë në pranga këtë mëngjes, gjatë një operacioni për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal, që vepronte kryesisht në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe kontrabandimit të shtetasve.

Gjithsej, u lëshuan 31 masa arrest për burg.  26 persona ranë në pranga, mes tyre një punonjës policie. Ndërkohë, për 6 shtetas, gjykata caktoi masën “arrest në shtëpi”. Ndaj tyre rëndojnë veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në një deklaratë për mediat, njoftoi se operacioni u koordinua me homologët në Itali e Kosovë, ndërsa për realizimin e operacionit në Shqipëri u angazhuan rreth 500 forca policore në disa qytete, si Tiranë, Durrës, Shkodër, Berat, Kukës dhe Shijak.

“Gjatë operacionit u sekuestruan: 7 automjete, 1 laborator për falsifikimin e dokumenteve, 25 mijë euro, 20 mijë paund, 10 pasaporta italiane, greke, sllovene e karta identiteti të huaja, 1 armë gjahu, 10 laptop, 15 kompjutera e printera që shërbenin për shitje dhe transferta, monedha virtuale – BITCOIN, sasi lëndësh narkotike, 47 aparate celulare, 1 aparat luminator; bizhuteri dhe varëse floriri me vlerë të konsiderueshme dhe 120 kontrata noteriale shitblerje pronash të paluajtshme dhe automjetesh“, tregoi Rrumbullaku.

Subjektet kryenin aktivitetin e jashtëligjshëm të falsifikimit të dokumenteve të udhëtimit, kryesisht dokumenteve të BE-së, ku përfshihen pasaporta, karta identiteti, leje drejtimi automjeti, karta shëndeti dhe karta banke. Këto dokumente të falsifikuara, përdoreshin në një shkallë të gjerë, për dhënien ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve, për të lehtësuar udhëtimin e migrantëve të parregullt shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, por jo vetëm. Udhëtimet realizoheshin drejt aeroporteve spanjolle, veçanërisht atyre në Majorka, Madrid, Barcelona dhe Alikante.

Top Channel