Debati për “Poliçanin”/ Çupi: Hajdutë të pamëshirshëm, u bletë shqiptarëve letrat me vlerë për 5 lekë! Ia kthen Braçe: Ja pse duhet shkolla, përgjigjen e keni në Gërdec…

06/06/2024 17:07

Projektligji “Për financimin e detyrimit të prapambetur të pagesës së punonjësve dhe ish-punonjësve të Kombinatit Mekanik Poliçan” përfshiu në debate të ashpra mazhorancën dhe opozitën në seancën e sotme plenare.

Deputetja Dhurata Çupi akuzoi qeverinë se gjatë vitit 2023 ka blerë letrat me vlerë “për 5 lekë nga qytetarët dhe ua ka dhënë oligarkëve”. Ky është një projektligj i bërë me porosi, sipas Çupit, që iu drejtua mazhorancës me fjalët: “të pashpirt, të pamëshirshëm dhe hajdutë”.

“Ky është një ligj që thjesht ka firmosur një deputet e PS. Është një projektligj që është i porositur zoti Braçe. E kam thënë në mars, kur në mars, me nismën e një deputeti, shtyu afatin e ligjit për investime strategjike. Në maj, ndryshoi ligjin për privatizimin dhe tani vjen sërish me një nismën e një tjetër deputeti për shtyrjen e letrave me vlerë. Duke qenë se janë ligje të lobuara, ligje me porosi, natyrisht kryeministri i shmanget firmës dhe përdor firmat e kolegëve deputetë, që rreshtohen aty sa herë ua ka nevojën. Ky ligj është ndryshuar rreth 8 herë dhe ajo që më bën përshtypje është se në 2023, afatet e letrave me vlerë kanë përfunduar dhe vijmë këtu 6 muaj pasi ka përfunduar afati. Dhe vini këtu si të pashpirt që jeni, si të pamëshirshëm dhe hajdutë total, edhe këto letrat me vlerë, ua morët letrat me vlerë qytetarët, ua bletë me 5 lekë në 2023 duke u bërë presion, u thotë skadojnë në 2023. Dhe fuqizohen disa biznesmenë dhe sot vihet këtu thuhet i kemi për legalizim. Ka qenë një fushatë, në çdo muaj të 2023, njerëzit thoshin duhet t’i shes se skadon afati, dhe i kanë blerë oligarkët. Ju e bëni çdo gjë me llogari, nuk bëni asgjë për njerëzit e thjeshtë”, tha Çupi.

Në replikën e tij, deputeti socialist Erjon Braçe, u shpreh se Poliçani ka nisur të zhbëhet në vitin 1992. “Poliçanit iu mohua lënda e parë”, tha socialisti. Duke iu drejtuar opozitës, tha se “përgjigjen e keni në Gërdec, te korrupsioni skandaloz e te ajo filozofia: vidh duke vrarë e vrit duke vjedhur”.

“Si pastrohen paratë në këtë rast. Dhurata, po të flas si ekonomist tani. Më 1.2 për qind të vlerës së letrave me vlerë, jo vetëm që nuk pastrohen paratë, jo që nuk pastrohen para Dhurata, po as nuk ke si ta mendosh se si. E kam thënë disa herë që në këtë sallë, që shkolla që ke bërë është kot.

Unë do thosha në fillim të seancës, që nuk na latë mundësi që të flisnim, si një deputet që e ka nisur jetën politike në Poliçan, do të doja të ndalesha te ai vendimi, që s’u lejua as deputeti i asaj zone që të fliste e të thoshte se çfarë parashikon ligji që u miratua sot. Natyrisht që me Poliçanin është luajtur shumë. Më kanë habitur ca pyetje nëpër komisione, që ‘pse janë lënë kaq gjatë këta njerëz pa paguar dhe nuk u janë dhënë lekët, ku keni qenë ju gjatë tërë kësaj kohe që nuk u keni dhënë njerëzve lekët kaq gjatë’. E kam tani një përgjigje për të gjithë ju ironikët e mëdhenj dhe kërkuesit e mëdhenj të llogarisë. Poliçani është një kombinat që u ngrit mbi lëndën e parë, do vij dhe te ju zoti Leskaj, ja se do vij. Poliçani u ndërtua si qytet mbi bazën e kombinatit. Lënda e parë iu mohua pas viteve ’90 dhe me Poliçanin është luajtur keq. Poliçani ka filluar të zhbëhet dhe të masakrohet në 1992, sapo hipët në pushtet dhe shkuat atje dhunuat një popull të tërë. Atij deputeti të Poliçanit në ’92 që ka harruar se çfarë ndodhte atje, dua t’i them sot se aty nisi zgripi për Poliçanit dhe lënda e parë shumë vite më pas iu mohua Poliçanit. Nuk iu dha mundësia Poliçanit që të bënte atë që në Gërdec ndodhi fare mirë, ripaketimin e fishekëve kinez dhe shitja për fishek shqiptar. Pra, përgjigjen e keni në Gërdec, te korrupsioni skandaloz e te ajo filozofia: vidh duke vrarë e vrit duke vjedhur”, tha Braçe.

Top Channel