Kryeministria e Italisë Georgia Meloni u shpreh e keqardhur për të gjithë zhurmën dhe akuzat në adresë të Shqipërisë dhe Edi Ramës, vetëm se pranoi të hedhë firmën në marrëveshjen e emigrantëve.
Meloni: Ne faktikisht kemi ndjekur dhe një fushatë denigruese ndaj qeverisë shqiptare dhe në një farë mënyrë kemi dëgjuar edhe etiketime sikur qeveria shqiptare është një narko-shtet sepse nuk është hera e parë që kryeministri Rama dhe Shqipëria, sikundër e përmendi vetë kryeministri, i ofrojnë bashkëpunimin Italisë.
Do doja t’i thoja kryeministrit Rama sepse në fakt nuk është ai shënjestra sepse italianët e kuptojnë, janë mirënjohës qeverisë, i janë mirënjohës popullit shqiptar për këtë përpjekje të rëndësishme.
Rama: Nuk mund të mos e shfrytëzoj këtë rast për të shprehur një trishtim për vetëm gjysmë të vërtetat, të cilat janë thënë në mediat italiane, përfshirë këtu shërbimin publik italian, mbi Shqipërinë, me qëllimin fare të qartë për të hedhur baltë mbi këtë vend, për të sulmuar marrëveshjen mes dy qeverive, marrëveshjen e bashkëpunimin në luftën kundër emigracionit të paligjshëm. Duhet të kenë turp, pra të turpërohen të gjithë ata që të drejtën demokratike për të kundërshtuar këtë marrëveshje, e kanë shndërruar në një abuzim të pushtetit të katërt dhe kjo në kurriz të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të vetë publikut italian.
Por kush qëndron pas këtyre sulmeve të amplifikuara pas nënshkrimit të marrëveshjes?
Meloni: Unë mendoj se arsyeja e vërtetë nuk është sigurisht që të sulmohet qeveria shqiptare, populli shqiptar, besoj se janë le të themi pozicione apo qëndrime të ligjshme, apo të legjitimuara, të ndryshme dhe që janë armiqësore ndaj qeverisë italiane dhe që luajnë si të thuash edhe në këndvështrimin e tyre, duke shpalosur gjithë qëndrimin e tyre. Për të goditur, për të sulmuar qeverinë italiane, goditet apo sulmohet edhe një partner ndërkombëtar. Këtu nuk po dëmtohet thjesht qeveria italiane, por edhe Italia si vend, sepse pavarësisht suksesit ose jo të marrëveshjes, e gjitha kjo përfshihet apo është pjesë e të gjithë përbaltjes që i bëhet qeverisë italiane dhe këtu rrezikojmë që t’i shkaktojmë një dëm të gjithë vendit.
Tek sa po largohej nga Shëngjini kryeministrja e Italisë u përball me një miniprotestë të një deputeti të opozitës italiane.
Nga kjo tokë shqiptare tashmë nën administrimin e italianëve kryeministri Edi Rama e shikon marrëveshjen të ldihur me çfarë dha Italia për ne dhe tani është koha për të dhënë nga shqipëria. Megjithëse Georgia Meloni e theksoi se kjo vizite nuk ka të bëjë me zgjedhjet për parlamentin europian, ajo nuk do ti shpëtojë politizimit të këtij udhëtimi blic në Shqipëri vetëm tre ditë larg nga këto zgjedhje në vendin fqinj.
Top Channel