Rama dhe Balluku inspektojnë kantierin e aksit Thumanë-Kashar, batuta e kryeministrit: E mori gjithë syrin e keq Murrizi

05/06/2024 21:20

Kryeministri Edi Rama dhe Zv.kryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku po inspektojnë kantierin e aksit të ri rrugor Thumanë-Kashar, i pari i kategorisë A të Bashkimit Europian, i cili pritet të përfundojë brenda muajit qershor.

Gjatë diskutimit, Balluku theksoi se aksi pritet të përfundojë më 30 qershor.

Rama: Kur e punon me tre turne është e sigurt që bëhet.

Balluku: Kam marrë garanci, sot më thanë kemi ecur sipas kalendarit një ditë më shpejt, thash mund ta hapim nga data 28, jo tha nuk kemi marrëveshje të reja, marrëveshja është me 30. Kemi pasur një gjeologji të mirë këtu, jo problematike, problematike ka qenë pjesa e shpronësimeve. Nëse ecet me të njëjtat ritme. Kashar-lekaj do të jetë më e komplikuar sa i përket gjeologjisë se futemi në zona kodrinore, por nëse ecet me të njëjtat ritme edhe ato do dorëzohen brenda afateve.

Rama: E mori gjithë syrin e keq Murrizi.

Në aksin Thumanë-Kashar, pjesë integrale e korridorit Blu, i pari i kategorisë A të Bashkimit Europian, punimet janë drejt finalizimit, duke shënuar deri më tani 95 % të realizimit të tyre, ndërkohë që puna për ndërtimin e urave, mbikalimeve e nënkalimeve, ka përfunduar plotësisht.

Autostrada e re shtrihet në zonat urbane dhe gjysmë urbane të Thumanës, Fushë-Krujës, Rinasit dhe Vorës, duke i dhënë një frymëmarrje të shumëpritur qarkullimit në një pikë kritike që pret prej vitesh këtë zgjidhje europiane, ndërkohë që gjatë qershorit lidhen kontratat për segmentet Kashar – Lekaj – Fier dhe Thumanë – Milot, si edhe hapet gara për segmentet Milot – Balldren dhe Balldren – Muriqan, të cilat plotësojnë të gjithë trupin e Korridorit Blu, si pjesë e unazës europiane të turizmit mesdhetar.

Aksi përmbushin parametrat e sigurisë rrugore, me mbikalime, 11 ura, 12 nënkalime e kryqëzime, por edhe rrugë aksesi për qytetarët.

“I kemi thënë afatin firmës ndërtuese, që të jetë data 30 qershor. Jemi duke punuar me 12 shtruese. Pjesa më sfiduese që kemi tani është lidhja e nyjes së Kasharit, që është pjesa e fundit që jemi në fazë konstruksioni, ndërkohë që gjurma prej më shumë se 21 km ka përfunduar gjithë pjesën e stabilizantit. Sonte ne u futëm nga hyrja e Rinasit, pra mbikalimi nga Rinasi dhe këtu jemi në zonën e Laknasit në paralel dhe nga ana tjetër kemi Bërxullin. Me hapjen e kësaj (segmentit rrugor) realizohet dhe kthimi në Rinas dhe pastaj kemi hyrjen e Kasharit që shpërndan autostradën Tiranë-Durrës, duke pritur që këto ditë të jemi në përfundim të negociatës përsa i përket gjurmës tjetër, pra nga Kashari deri në Lekaj, duke e lidhur pastaj me gjithë gjurmën e re. Gjurma Kashar- Lekaj është tërësisht e re”,  shpjegoi  Balluku.

“Tani janë 3 lote, 3 kontrata që lidhen në ditët në vazhdim para se të mbarojë muaji qershor, që janë Kashar- Lekaj, më pas Lekaj- Fier dhe ndërkohë vazhdojmë në veri të kësaj autostrade me Thumanë-Milot. Jemi gati për të hapur garën për Milot-Balldren, ndërkohë që këto 3 kontrata janë negociuar tashmë dhe janë gati t’u firmosur dhe për të filluar nga puna. Synimi ynë është që menjëherë pas asaj gare (Milot –Balldren) të hapet edhe gara për Balldren –Murriqan, duke e mbyllur kështu Korridorin Adriatiko-Jonian për pjesën e re, që ne kemi nisur. Milot -Balldren hapet në qershor, jemi gati me studimin e fizibilitetit dhe gjithçka tjetër. Duhet thënë që studimin e fizibilitetit ne e kemi pasur nga WBIF për të gjithë gjurmën. Në gjurmën e re që do të ndërtohet, pra nga Thumana në Milot kemi rrugët paralele për të ndërtuar. Kjo është austostrada e parë e kategorisë A që kemi plotësisht dhe do të ndiqet edhe nga autostradat e tjera.

Ndërkohë kjo është ajo autostrada që do të dorëzohet me formën e plotë, pra jo thjeshtë me atë vijën e verdhë që janë vetëm në formën e kantierit, megjithatë do na duhet që të mbyllim dhe disa detaje të vogla.  Duhet thënë që kemi pasur një  gjeologji të mirë këtu, një gjeologji jo problematike. Nëse ecet me këto ritme besojmë që edhe ato segmente të tjera do t’i dorëzojmë brenda afateve më të shpejta”, shtoi ministrja.

Paralelisht me Korridorin Blu do të vijojnë financimet për realizimin e Korridorit VIII Durrës – Pogradec, ku do të realizohet edhe lidhja me rrjetin europian të transportit Lindje – Perëndim, duke përmbyllur skeletin e infrastrukturës rrugore të Shqipërisë 2030, gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA