“Pse mos i bashkojmë dy vendet?!” Rama nga Shëngjini: Nuk ka rëndësi për ne kush qeveris në Itali, këtë dua ta dinë dhe miqtë e mi të majtë

05/06/2024 13:34

Edi Rama u shpreh se marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Italisë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë miqësore.

Kreu i qeverisë shqiptare gjatë konferencës së përbashkët me homologen e tij italiane në Gjadër, tha se për Shqipërinë nuk ka rëndësi se cila parti qeveris në Itali, por se më rëndësi ka bashkëpunimi.

“Nga ana tjetër, më duhet të them që për ne këtu në Shqipëri nuk ka të bëjë ngjyra e forcave politike të cilat qeverisin Italinë. E ka qeverisur Italinë e majta, qendra e majtë, e djathta, qendra e djathtë, janë këmbyer pozicionet e tyre në bazë të vullnetit që populli italian ka pasur, por me të gjithë kemi pasur një marrëdhënie vëllazërie dhe të gjithë kanë bërë më të mirën e tyre për të na ndihmuar.

Kjo duhet kuptuar mirë edhe nga shokët e mi të dashur të së majtës italiane sepse kur ata shprehin konsiderata për mënyrën se si vepron qeveria shqiptare kundrejt Italisë, duhet edhe të kuptojnë që tesera e anëtarësimit në një parti dhe në një fushë politike veprimi, në një fushë politike, nuk kanë të bëjë. Për ne, qeveria italiane ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë qeveria e një vendi me të cilin na lidh një miqësi shumë e veçantë dhe një aleancë strategjike që ne duam ta zhvillojmë dhe ta fuqizojmë hap pas hapi.

Nëse gabon qeveria italiane, ne marrim pjesë në atë gabim pa asnjë ngurrim, por le të mos e kthejmë këtë në një çështje politike të përditshme dhe në një çështje gabimesh që janë një tjetër arsye për t’u ndjerë si në shtëpi kur ndjekim politikën italiane sepse jemi shumë të ngjashëm, një ngjashmëri e cila ndonjëherë të bën të mendosh “Po pse nuk i bashkojmë dy vendet tona në një dhe kështu të bashkojmë edhe partitë politike, edhe gazetarët dhe le të bëjmë një festë të madhe gjysmë të vërtetash dhe pune të përbashkët”?”, tha mes të tjerash Rama.

 

Top Channel