Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Rumani, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, u prit nga homologia, Luminita Odobescu. Hasani njoftoi se kanë nënshkruar një marrëveshje për njohjen e sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Rumanisë.
“Dje bashkë me ministren e Punës nënshkruam “Marrëveshjen Administrative për zbatimin e Marrëveshjes së Sigurimeve Shoqërore”. Ky dokument do t’u garantojë qytetarëve të të dy vendeve të drejtën për të gëzuar të gjitha përfitimet e kontributeve të tyre dhe lejimin e pagesës së pensioneve jashtë vendit.
Sot, nënshkruam Memorandumin e Mirëkuptimit për bashkëpunimin në trajnimin diplomatik. Në të njëjtën kohë, ne po punojmë ngushtë për të finalizuar marrëveshjet në fushën e arsimit dhe kulturës.
Krijimi i linjës së fluturimit direkt Tiranë-Bukuresht ka afruar edhe më shumë dy vendet dhe njerëzit tanë, duke rritur numrin e turistëve. Gjatë gjithë vitit 2023, numri i turistëve rumunë është rritur me 62%, ndërsa vetëm gjatë periudhës janar-maj 2024 është rritur me 172%.
Bazuar në kapacitetet që ofrojnë vendet tona, ramë dakord se ka ende punë për të bërë në nxitjen e shkëmbimeve tregtare dhe eksplorimin e fushave të reja të bashkëpunimit ekonomik.
Komuniteti shqiptar në Rumani dhe minoriteti arumun që jeton në vendin tonë, janë dy elementë të rëndësishëm që zënë një vend të veçantë në marrëdhëniet tona historike. Ata janë një aset i çmuar dhe shërbejnë si një urë e fortë që lidh shoqëritë dhe njerëzit tanë.”-u shpreh ministri Hasani.
Top Channel