Mbledhja maratonë e “TIMS-it”! Për 12 orë dëshmuan Balla, Rrumbullaku dhe Muça/ Salianji: Zbuluam të dhëna befasuese, shumë shpejt do t’i bëjmë publike

05/06/2024 10:57

Në një mbledhje maratonë, për rreth 12 orë, anëtarët e Komisionit Hetimor për TIMS dëgjuan të martën dëshmitë e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe ish-drejtorit të IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça.

Mbledhja nisi rreth orës 15:00 dhe pas debateve të shumta, me kërkesë të Partisë Socialiste, vijoi me dyer të mbyllura.

Përmes një videoje të filmuar pas orës 3 të mëngjesit e të shpërndarë në rrjetet sociale, kryetari i këtij komisioni, Ervin Salianji, u shpreh se janë diskutuar shumë çështje, që do t’i bëhen të ditura publikut në vijim. “Kemi zbuluar të dhëna befasuese”, tha ai.

“Pas orësh e orësh debat, diskutim e marrje në pyetje të tre dëshmitarëve, ministrit të Brendshëm, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ish-drejtorit të DDI-së… Është ora 03:26, kemi përfunduar seancën e pyetjeve, bashkë me kolegët. Padiskutim që do të jeni në dijeni për shumë çështje që janë diskutuar në këtë Komision, që u kufizua nga votat arbitrare të PS për të bërë lista të mbyllura. Ajo që ju them dhe që besoj konfirmohet edhe nga kolegët është që kemi arritur të zbulojmë të dhëna befasuese në lidhje me hetimin parlamentar që shumë shpejt do t’i bëjmë publike për të gjithë. Ajo që është e rëndësishme është se pavarësisht përpjekjeve të PS për të bllokuar këtë hetim, ne po i shkojmë drejt fundit, për ta ndriçuar këtë situatë të errët që ka ndodhur me të dhënat e TIMS”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA