Tani është zyrtare: Antonio Conte është trajneri i ri i Napolit.
“SSC Napoli mirëpret Antonio Conte, i cili merr rolin e trajnerit të ekipit, pasi ka nënshkruar një kontratë me klubin deri më 30 qershor 2027 ”, shkruan në njoftim klubi.
“Jam shumë krenar që trajneri i ri i Napolit është Antonio Conte. Antonio është një top trajner, një lider, me të cilin jam i sigurt se rithemelimi i nevojshëm mund të fillojë. Pas shumë sezonesh në majat e futbollit italian, sot hapet një kapitull i ri i rëndësishëm në historinë e Napolit”, deklaroi presidenti Aurelio De Laurentiis.
“Napoli është një vend me rëndësi globale. Jam i lumtur dhe i emocionuar për idenë për t’u ulur në stolin blu. Sigurisht që mund të premtoj një gjë: do të bëj maksimumin për rritjen e ekipit dhe klubit. Përkushtimi im së bashku me atë të stafit tim, do të jetë maksimale”, tha Antonio Conte.
Marrëveshja është për tre vjet për rreth 6.5 milionë në sezon plus bonuse në rezultate. Conte sjell me vete stafin e tij të përbërë nga zëvendësi historik Cristian Stellini, vëllai i tij analist i ndeshjeve Gianluca, trajnerët Costantino Coratti dhe Stefano Bruno. Napoli gjithashtu ka nën kontratë Francesco Sinatti, kreun e trajnerëve atletikë dhe Alejandro Rosalen, trajner portierësh.
FJALËT E PARA TË CONTE
“A është një ditë e mrekullueshme? Absolutisht.” Kështu, Antonio Conte i buzëqeshur ka hyrë në selinë e Filmauro në Romë, ku ka firmosur kontratën si trajneri i ri i Napolit. De Laurentiis, pas marrëveshjes me trajnerin e ri, u largua nga Palazzo Bonaparte rreth orës 14:40, një orë më vonë radha ishte e Antonio Conte, i shoqëruar nga vëllai i tij dhe drejtori sportiv Manna që hipën në makinë drejt aeroportit. “Ne do të bëjmë gjithmonë më të mirën tonë”, siguroi Conte teksa u largua nga Palazzo Bonaparte.
Janë hedhur themelet për Napolin e ri, tani do të jetë detyra e Contes që ta bëjë ekipin sërish të suksesshëm.
Top Channel