Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama e nisi fjalimin në konferencën e përbashkët me homologen italiane, Meloni, duke ironizuar reportazhin italian të RAI3.
Rama tha se ata e cilësuan Shqipërinë si një vend ku mbizotëron mafia, por që sipas tij sikurse edhe Prokuroria e Posaçme e ka pohuar, nuk ekziston aspak një fakt i tillë.
“Një mirëseardhje të ngrohtë për të gjithë dhe veçanërisht për gazetarët italianë. Më lejoni të shpreh lehtësimin dhe kënaqësinë time që t’ju shoh të gjithëve këtu shëndoshë e mirë në këtë zonë që sipas një gazete italiane e cila merret me të nesërmen, zemra, thelbi i kriminalitetit shqiptar është vendi ku veprojnë klanet të cilat lidhen me trafikun e qenieve njerëzore.
Më duhet t’ju rrëfej që e kemi marrë shumë seriozisht këtë “zbulim” shqetësues dhe meqenëse gazeta e të nesërmes thoshte edhe që Prokuroria po merret me zbulimin e këtyre klaneve, do të thotë që po merremi së bashku me Prokurorinë e posaçme për krimet e rënda dhe na siguruan që ky klan nuk ekziston as në këtë zonë dhe as në vende apo në zona të tjera të Shqipërisë, ku sigurisht, veprojnë grupe kriminaliteti, por sipas prokurorisë së posaçme, e cila është pjesë e rrjetit Eurojust, nuk ekzistojnë premisat për të folur për një mafie shqiptare, një koncept ky mjaft i përdorur kohët e fundit për të hedhur baltë mbi Shqipërinë, por duke cituar kreun e Prokurorisë së Posaçme shumë të nderuar, nuk mund të themi që në këtë vend ekzistojnë struktura, të cilat u ngjajnë organizatave mafioze të llojit Cosa Nostra, Ndragheta, Camorrra apo Sacra Corona Unita sepse grupet kriminale shqiptare nuk kanë hierarki të tyre dhe veprojnë në rrethe të ngushta familjare apo shoqërore”, tha ai ndër të tjera.
Fjala e plotë e Ramës dhe Melonit:
Një mirëseardhje të ngrohtë për të gjithë dhe veçanërisht për gazetarët italianë. Më lejoni të shpreh lehtësimin dhe kënaqësinë time që t’ju shoh të gjithëve këtu shëndoshë e mirë në këtë zonë që sipas një gazete italiane e cila merret me të nesërmen, zemra, thelbi i kriminalitetit shqiptar është vendi ku veprojnë klanet të cilat lidhen me trafikun e qenieve njerëzore.
Më duhet t’ju rrëfej që e kemi marrë shumë seriozisht këtë “zbulim” shqetësues dhe meqenëse gazeta e të nesërmes thoshte edhe që Prokuroria po merret me zbulimin e këtyre klaneve, do të thotë që po merremi së bashku me Prokurorinë e posaçme për krimet e rënda dhe na siguruan që ky klan nuk ekziston as në këtë zonë dhe as në vende apo në zona të tjera të Shqipërisë, ku sigurisht, veprojnë grupe kriminaliteti, por sipas prokurorisë së posaçme, e cila është pjesë e rrjetit Eurojust, nuk ekzistojnë premisat për të folur për një mafie shqiptare, një koncept ky mjaft i përdorur kohët e fundit për të hedhur baltë mbi Shqipërinë, por duke cituar kreun e Prokurorisë së Posaçme shumë të nderuar, nuk mund të themi që në këtë vend ekzistojnë struktura, të cilat u ngjajnë organizatave mafioze të llojit Cosa Nostra, Ndragheta, Camorrra apo Sacra Corona Unita sepse grupet kriminale shqiptare nuk kanë hierarki të tyre dhe veprojnë në rrethe të ngushta familjare apo shoqërore.
Nuk mund të mos e shfrytëzoj këtë rast për të shprehur një trishtim për vetëm gjysmë të vërtetat, të cilat janë thënë në mediat italiane, përfshirë këtu shërbimin publik italian, mbi Shqipërinë, me qëllimin fare të qartë për të hedhur baltë mbi këtë vend, për të sulmuar marrëveshjen mes dy qeverive, marrëveshjen e bashkëpunimin në luftën kundër emigracionit të paligjshëm. Duhet të kenë turp, pra të turpërohen të gjithë ata që të drejtën demokratike për të kundërshtuar këtë marrëveshje, e kanë shndërruar në një abuzim të pushtetit të katërt dhe kjo në kurriz të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të vetë publikut italian.
Falënderoj të gjithë ata që kanë treguar solidaritetin e tyre ndaj nesh.
Kam marrë mesazhe të shumta nga miq në Itali, në botën e kulturës, të sportit, kundrejt atij lumi balte të shpërthyer ndaj Shqipërisë dhe ndaj qeverisë sonë, qeveri, e cila mund të ketë mbi vete të gjitha mëkatet e botës, por kurrë nuk ka pasur mbi vete mëkatin e një dite të vetëm paqeje në luftën kundër krimit dhe as mëkatin që të kthejë kurrizin kur i është kërkuar të ndihmojë Italinë dhe jo vetëm Italinë. Do më duhet t’ju tregoj që diku, disa qindra metra prej këtu, në një hotel të madh, jeton më shpenzimet tona, tashmë prej dy vjet e gjysmë një komunitet afganësh.
Janë gati 350 njerëz që i janë larguar vdekjes pas rënies së Kabulit dhe që janë mikpritur dhe pranuar nga Shqipëria me mijëra njerëz, të cilët asnjë prej vendeve anëtare të NATO-s nuk pranoi t’i pranonte. Një pjesë e mirë e tyre janë strehuar në SHBA dhe në Kanada ndërkohë që çdo të premte mbërrin një avion me 90 apo deri në 120 persona, të cilët qëndrojnë këtu për në periudhë 3 deri në 6 muaj për t’u transferuar më pas. Ata të cilët nuk arrijnë t’i kalojnë filtrat mbeten të strehuar prej nesh dhe as nuk do t’i largojmë, as do të kërkojmë para për ta nga NATO që i bëri ata të ëndërronin demokracinë dhe jetën e bukur me gjithë të mirat në Afganistan dhe as nga Bashkimi Europian edhe pse më duhet t’ju rrëfej që këto para , nuk janë shuma dhe aq të vogla për arkën tonë. Por si të shpjegojmë faktin që disa gazetarë investigativë apo të kërkimit, vijnë këtu dhe nuk i shohin ata? Pra nuk shohin këta qindra emigrantë që i janë vjedhur vdekjes, por shohin fantazma, shohin shpirtra të kriminalitetit që ekzistojnë vetëm në mendjet e tyre kur paguajnë biletën për të mbërritur në Shqipëri, për të informuar publikun e tyre me lajme të shkruara tashmë më parë. Ok, është ajo që është, siç do të thoshte ish banori i Shtëpisë së Bardhë. Çdonjëri prej nesh bën atë që mendon se është e dobishme.
Mua, më duhet të them që jam krenar për Shqipërinë që mund t’i shërbejë Italisë.
Italia ka qenë e dobishme dhe i ka shërbyer Shqipërisë shumë, shumë herë dhe nëse ne kemi mundësinë për të qenë të dobishëm për Italinë, pra për t’i shërbyer asaj një herë, dy, tre, atëherë le ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ta bëjmë këtë me zemër dhe me bindjen që deti mes Italisë dhe Shqipërisë nuk është një hapësirë e cila na ndan, është një hapësirë që na bashkon dhe kjo prej mijëra vitesh.
E në një çast kaq të vështirë, jo vetëm për Italinë, por për gjithë Evropën, ne jemi shumë krenarë që mund të japim ndihmën tonë jo si europianë të bashkuar brenda BE-së, por si evropianë me BE-në, sepse në fund të fundit askush nuk vendos nëse ne jemi evropianë apo jo, askush nuk ka vendosur ta vendoste Shqipërinë dhe shqiptarët në zemër të Europës, pastaj sigurisht mund të diskutojmë për çdo gjë dhe mund të kemi dyshime për çdo gjë, qoftë edhe mbi mirësinë që kjo marrëveshje ka, nëse do të jetë diçka me vlerë apo do të jetë një gabim nuk e di, por sidoqoftë, nëse do të jetë një gabim do të jetë një gabim i bërë me zemër e jo me llogaritjet e egra.
Ndërkohë që, në vend që të flasim e të flasim, ne u përpoqëm që të bëjmë pa pasur pretendimin që ta zgjidhim këtë problem kaq të madh të migracionit në Europë, por nga ana tjetër, pa ndenjur në vend thjesht, duke biseduar e folur për këtë – siç bënin dikur priftërinjtë e Kostandinopojës që flisnin për seksin e engjëjve, ndërkohë që muret e qytetit ishin bërë gjithë vrima nga goditjet, – por duke u përpjekur që të ndërtojmë dhe të shtojmë diçka konstruktive.
Thënë kjo, shpresoj që të mund të kuptohet trazimi që kam në shpirtin tim për faktin që kam jetuar si kryeministër i këtij vendi të gjithë këtë spektakël gjysmë të vërtetash, që janë gënjeshtra, falsitete të mëdha dhe çaste të një balte të pamerituar ndaj shqiptarëve dhe ndaj Shqipërisë.
Nga ana tjetër, duhet të falënderoj Giorgian, kryeministren e një vendi me të cilin jemi të lidhur në mënyrë të pandashme, të pashlyeshme për të gjithë afeksionin dhe gjithë vullnetin e mirë që ka treguar teksa e ka shoqëruar Shqipërinë në rrugëtimin e saj të plotë drejt Bashkimit Europian.
Italia ka qenë gjithmonë avokati ynë më i rëndësishëm në Bruksel dhe të kesh sot këtu nderin të jemi të dobishëm është diçka që ne e shohim si një bekim.
Nga ana tjetër, më duhet të them që për ne këtu në Shqipëri nuk ka të bëjë ngjyra e forcave politike të cilat qeverisin Italinë. E ka qeverisur Italinë e majta, qendra e majtë, e djathta, qendra e djathtë, janë këmbyer pozicionet e tyre në bazë të vullnetit që populli italian ka pasur, por me të gjithë kemi pasur një marrëdhënie vëllazërie dhe të gjithë kanë bërë më të mirën e tyre për të na ndihmuar.
Kjo duhet kuptuar mirë edhe nga shokët e mi të dashur të së majtës italiane sepse kur ata shprehin konsiderata për mënyrën se si vepron qeveria shqiptare kundrejt Italisë, duhet edhe të kuptojnë që tesera e anëtarësimit në një parti dhe në një fushë politike veprimi, në një fushë politike, nuk kanë të bëjë. Për ne, qeveria italiane ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë qeveria e një vendi me të cilin na lidh një miqësi shumë e veçantë dhe një aleancë strategjike që ne duam ta zhvillojmë dhe ta fuqizojmë hap pas hapi.
Nëse gabon qeveria italiane, ne marrim pjesë në atë gabim pa asnjë ngurrim, por le të mos e kthejmë këtë në një çështje politike të përditshme dhe në një çështje gabimesh që janë një tjetër arsye për t’u ndjerë si në shtëpi kur ndjekim politikën italiane sepse jemi shumë të ngjashëm, një ngjashmëri e cila ndonjëherë të bën të mendosh “Po pse nuk i bashkojmë dy vendet tona në një dhe kështu të bashkojmë edhe partitë politike, edhe gazetarët dhe le të bëjmë një festë të madhe gjysmë të vërtetash dhe pune të përbashkët”?
Faleminderit dhe tani fjala për kryeministren.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni: Faleminderit zoti kryeministër! Mirëdita të gjithëve!
Do doja të thoja që jam me të vërtetë lumtur që jam këtu, që pata rastin që t’ju takoj juve, që kryeministri Rama pati mundësinë gjithashtu të verifikonte nga afër edhe situatën e punimeve që janë duke u realizuar në kuadër të marrëveshjes së nënshkruara mes dy qeverive tona në fushën e migracionit.
Do doja gjithashtu të thoja, ashtu sikundër ne pamë dhe dëgjuam nga fjalët e kryeministrit Rama, se vendet tona janë dy vende mike, janë vende që historikisht kanë bashkëpunuar së bashku dhe do doja të falënderoja dhe një herë kryeministrin Rama, të gjithë popullin shqiptar për mundësinë që na dhanë, për ndihmën që na dhanë në mënyrë që ne të realizonim këtë marrëveshje dhe që unë shpresoj që të jetë një shembull për të gjithë BE.
Duke ndjekur edhe fjalët e kryeministrit Rama, nuk më mbetet tjetër veçse të përsëris edhe një herë të gjithë afërsinë e qeverisë italiane, të popullit italian për sulmet që i janë bërë kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij dhe që faktikisht qeveria shqiptare s’ka bërë gjë tjetër veçse e ka ndihmuar qeverinë italiane.
Ne faktikisht kemi ndjekur dhe një fushatë denigruese ndaj qeverisë shqiptare dhe në një farë mënyrë kemi dëgjuar edhe etiketime sikur qeveria shqiptare është një narko-shtet sepse nuk është hera e parë që kryeministri Rama dhe Shqipëria, sikundër e përmendi vetë kryeministri, i ofrojnë bashkëpunimin Italisë sepse edhe më parë historia e Shqipërisë ka treguar se ajo ka patur me të vërtetë dëshirën e sinqertë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian dhe për të gjetur, për të zgjedhur të gjitha ato mundësi bashkëpunimi dhe nuk i ka munguar asnjëherë mbështetja e Italisë për këtë.
Më kujtohet kur në ditët më dramatike të emergjencës Covid qeveria shqiptare me kurajë dhe me bujari ofroi, ndihmoi me 30 mjekë dhe infermierë në Lombardi, që ishte kryeqendra e emergjencës Covid, sikundër dhe në rastet e tjera kryeministri Rama u falënderua për këtë dhe një nga gazetarët dhe gazeta italiane e quajti, e titulloi “përrallë e bukur e qeverisë shqiptare dhe e kryeministrit shqiptar”, ndërsa sot Kryeministri Rama quhet “spregiudicato”sepse shumë kanë ndryshuar kur qeveria vendosi të vijojë bashkëpunimin me qeverinë e re italiane, sikundër kishte bërë dhe me 5 qeveritë e tjera, ndërkohë përgjatë gjithë kësaj kohe.
Do doja t’i thoja kryeministrit Rama sepse në fakt nuk është ai shënjestra sepse italianët e kuptojnë, janë mirënjohës qeverisë, i janë mirënjohës popullit shqiptar për këtë përpjekje të rëndësishme që përbën një shenjë të miqësisë mes dy popujve tanë për të na dhënë një ndihmesë.
Kur verën e kaluar unë erdha këtu në Shqipëri dhe pata rastin të diskutoj me Kryeministrin Rama për këtë marrëveshje, ne morëm parasysh disa kritere, disa kushte sepse emigracioni i jashtëligjshëm është një fenomen shqetësues dhe që vendet e Bashkimit Europian nuk mund ta përballojnë të vetme, por duhet edhe ndihma e vendeve të tjera ta BE-së, por dhe vendeve jashtë BE dhe që nuk na mbetet tjetër veçse ne ta forcojmë këtë bashkëpunim dhe ne arritëm në realizimin dhe në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje që bazohet në tre objektiva: në luftën ndaj trafikut të qenieve njerëzore, gjithashtu edhe të emigracionit të paligjshëm dhe nëpërmjet kësaj marrëveshjeje sigurisht që Shqipëria ka vënë në dispozicion edhe disa territore të saj, pra zona e Shëngjinit ku ndodhemi sot edhe ajo e Gjadrit, në të cilat Italia po realizon, po kryen punimet për ngritjen e dy qendrave, të cilat fillimisht në Shëngjin do të mirëpresim emigrantët dhe qendra e Gjadrit në të cilën do strehohen. Është një marrëveshje novative dhe kur e kemi nënshkruar besoj e mbani mend që unë mendova dhe dëshirova fort që të shndërrohej si një model për vendet e tjera dhe ju shikoni dhe vetë që edhe disa javë përpara, 15 vendeve të BE nga 27, pra pjesa më e madhe e tyre nënshkruan dhe i dërguan një apel Komisionit Europian për të kërkuar në mënyrë që këto vende, vendet e Bashkimit të ndjekin shembullin e marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë.
Ndërkohë edhe vet qeveria gjermane dhe ministri i Brendshëm gjerman, këshilluan pikërisht ndjekjen e modelit të marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë. Dhe ne ndodhemi këtu pas kaq muajsh për të lançuar edhe realizimin e punimeve në strukturën e Shëngjinit dhe kjo strukturë do të kryejë pikërisht funksionin e mikpritjes së mbërritjes së emigrantëve dhe ju e dini shumë mirë numrin e madh të klandestinëve që kanë mbërritur në brigjet e Italisë dhe të gjitha ato procedua që do të ndiqen, që nga momenti i identifikimit, i marrjes së gjurmëve te gishtave, i fotografisë e të gjitha e pastaj do transferohen në qendrën e Gjadrit.
Sigurisht që emigrantët që janë shpëtuar nga anijet italiane, por sigurisht që në Shqipëri nuk do të vijnë ata emigrantë, nga të cilët, gra shtatzëna, fëmijë, persona në moshë të caktuar. Do të jetë një strukturë ku do të kryhen të gjitha procedurat e kalimit të kufirit dhe që kërkojnë maksimumi 28 ditë dhe që do të trajtojë gjithashtu edhe kërkesat për azil. Gjithashtu, do të kemi dhe përshpejtim të procedurave në rastin kur emigrantët vijnë, pra kanë origjinën nga vendet e ashtuquajtura të sigurta si Bangladesh, Kamerun, Egjipt dhe Sri Lanka dhe do të zgjerojmë pra kështu numrin apo prejardhjen, origjinën e emigrantëve, të cilët do të mbërrijnë në Shqipëri.
Gjithashtu do të forcojmë dhe të gjitha procedurat, të cilat do të jenë të detyrueshme edhe për gjithë Bashkimin Europian dhe Bashkimi Europian në hartimin e bilancit të saj do të parashikojë shpenzimet apo fondet që nevojiten për realizimin e të gjitha këtyre procedurave që përmenda pak më lartë.
Ndërsa struktura e Gjadrit do të ketë gjithashtu edhe një funksion tjetër. Aty ku do të ndalen edhe emigrantët që do të mbërrijnë në Shqipëri dhe do të ketë gjithashtu një zonë, një hapësirë ku do të mbahen të ashtuquajturit emigrantë, si të themi të burgosur në rast se do të kryejnë vepra penale. Sigurisht që rendi publik brenda perimetrit të qendrave do të garantohen nga autoritetet italiane dhe të dy qendrat do të jenë operative nga 1 gushti 2024.
Ka patur nga ata që kanë ngritur kundërshti apo problematika për sa i përket kohës së realizimit të këtyre qendrave dhe mjaft parlamentarë të opozitës italiane gjithashtu e kanë ngritur sepse faktikisht para së gjithash na kanë akuzuar se po ngrinim një qendër e njëjtë si Guantanamo, por nga ana tjetër pastaj ankoheshin se punimet për realizimin e këtyre qendrave po vonoheshin, se ishin me vonese. Duam t’i bëjmë gjërat ashtu siç duhet sepse këtu kemi menduar që gjerat do të funksionojnë dhe jam e bindur që do të funksionojnë dhe kemi përuruar një fazë krejtësisht të re në menaxhimin e fluksit emigrantor.
Kjo marrëveshje mund të diskutohet shumë edhe nga vende të tjera. Mund të bëhet si një pjesë e zgjidhjes së Bashkimit Europian, këtë e kuptojmë ne dhe e kuptojnë sigurisht edhe mbështetësit e emigracionit të pakontrolluar apo të paligjshëm dhe që faktikisht e kanë kundërshtuar fuqishëm këtë marrëveshje. Pra ne duam të lëmë gjithçka pas krahëve dhe t’iu themi që do ta realizojmë me sukses.
Sigurisht që dy muajt e vonesës të parashikuar për realizimin e punimeve janë shkaktuar edhe përsa i përket terrenit disi të vështirë në Gjadër, por gjithashtu nga ana tjetër marrëveshja dhe këto qendra do të shërbejnë edhe si një zgjidhje për problematikën që haset prej viti 1991, por pastaj ne do të trajtojmë edhe pjesën tjetër te marrëveshjet e mundshme mes Italisë dhe Afrikës Veriore.
Nga vende të ashtuquajtura të quajtura të sigurta kanë mbërritur në Itali rreth 11 mijë persona dhe këto 11 mijë persona gjysma prej tyre janë subjekte vulnerabël. Faktikisht ne duhet të kishim dërguar në Shqipëri 5500 dhe në këtë mënyrë qendra pastaj do të kishte vijuar me gjithë trajtimin e tyre.
Gjithashtu MediHospes do të jetë shoqëria, e cila do të ndjekë të gjithë procedurën e menaxhimit të strukturave, transporti do të kryhet nga anije e marinës italiane, Guardia Di Finanza, e kështu me radhë dhe që Ministria e Brendshme gjithashtu ka shpallur edhe një garë për sa i përket shpenzimeve të transportit që arrijnë shifrën 13.5 milion euro, por sigurisht edhe për sa i përket situatës në Detin e Kuq apo në Detin Mesdhe do të shohim mundësinë e trajtimit të këtyre emigrantëve nga anijet e marinës Italiane.
Pra, kemi gjithashtu 334 milion euro në vit, që përbëjnë 7.5% të trajtimit të emigrantëve në territor kombëtar dhe ne jemi të bindur se këto burime nuk duhet të konsiderohen si burime shtese, sepse emigrantët që do të vijnë në Shqipëri gjithsesi do të priteshin në Itali, ku sigurisht që kanë kosto, e dyta ne mendojmë se elementi kryesor i dobishëm i kësaj marrëveshje është se mund të jetë një mjet i fuqishëm për të penguar emigrantët që të mbërrijnë në brigjet tona, pra në brigjet e Europës dhe gjithashtu mund të jetë edhe instrument për të kundërshtuar dhe për të luftuar edhe trafikun e qenieve njerëzore nga organizatat kriminale, çka përkthehet gjithashtu edhe në një reduktim të kostove apo të shpenzimeve.
Pra, faktikisht këtë vit kemi arritur edhe një ulje prej 60% të emigrantëve të paligjshëm që kanë mbërritur në brigjet italiane dhe si për rrjedhojë edhe kostot janë ulur, shpenzimet janë ulur. Pra ne nuk është se po bëjmë kosto, ne po bëjmë një investim.
Krahas kësaj duke bërë një përllogaritje të shpejtë, me kapacitetin e këtyre qendrave duke patur parasysh faktin e atyre emigrantëve, pra që nuk priten në Itali, atëherë në Itali do të kursejmë rreth 136 milion euro.
Ne jemi mjaft të kënaqur edhe në përfundim të punimeve dhe të rezultateve që kemi bërë deri këtu. Do doja të falënderoja të gjithë ata që e bënë të mundur të gjithë këtë. Sigurisht së pari kryeministrin Rama dhe ministrat e tij, ministrat e qeverisë së tij.
Do doja të falënderoja ministrat e mi, ministrin Piantedosi, ministrin Tajani, ministrin Crosetto.
Do doja të falënderoja edhe Forcat e Genios apo të gjithë administratën shtetërore, do doja të falënderoja ambasadorin Bucci, Ambasadori ynë në Tiranë, i cili ka ndjekur hap pas hapi të gjithë procedurat.
Pra, një falënderim i ndjerë për të gjitha forcat e rendit dhe të gjithë ata që kanë vënë zemrën dhe mendjen e tyre në funksion të realizimit të kësaj nismative e nëpërmjet kësaj marrëveshje, jo vetëm që fuqizohet më tepër marrëdhënia jonë, por do doja këtu të theksoja që shkëmbimi ynë tregtar, pra shkëmbimi me Italinë zë vendin e parë dhe përbën 20% të prodhimit të brendshëm bruto shqiptar.
Gjithashtu, Shqipëria është një vend mik i Italisë dhe Bashkimit Europian sepse Shqipëria, sillet tashmë sikur të ishte pjesë, anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Europian edhe pse faktikisht nuk është dhe që faktikisht i përmbahet të gjitha parimeve që janë në themel të Bashkimit Europian.
Italia do të jetë dhe është gjithmonë një mbështetëse e fuqishme e anëtarësimit, jo vetëm e Shqipërisë, por edhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe së bashku me kryeministrin Rama kemi qenë protagonistë të realizimit dhe të arritjes së kësaj marrëveshje.
Top Channel