Kryeministri Rama tha se një tjetër arsye për transmetimin e investigimit të RAI 3, është edhe fakti që për Shqipërinë flitet mirë kudo.
Sipas tij 5 kulla në Tiranë, atyre që nuk e duan vendin, iu duken si 500 sepse nuk e kanë menduar që kryeqyteti do të bëhej ky që ka filluar të bëhet.
“Shqipëria s’është më ajo që ishte, kjo shihet kudo, flitet ngado, mirëpo disa që janë mësuar ta na shohin e ta trajtojnë Shqipërinë si vend të botes së tretë, nuk na e falin dot suksesin, çlirimin nga hijet e të shkuarës, kokën e ngritur lart. Prandaj dhe pesë kulla në Tiranë ju duken si 500 ngaqë as e kanë imagjinuar që Tirana do të bëhej kjo që vetëm sapo ka filluar të duket , se s’kanë parë gjë akoma. Dhe e vetmja mënyrë që gjejnë, me ndihmën e gojëve mos e themi të politikanëve pa atdhe e të papagajve të tyre pa skrupuj, është të hedhin baltë për të na pikturuar pacipërisht si mafiozë, trafikantë, kriminelë”, tha Rama.
Sipas tij “Po për mua cenimi me gjysmë të vërteta i Shqipërisë në gjuhë të huaj, nga cilidoqoftë e sidomos nga vendet fqinje, ku jeton edhe pjesa më e madhe e shqiptarëve të Europës, është një sulm mbi emrin, mbi nderin, mbi flamurin tonë kombëtar, mbi çdo shqiptar dhe pikë. Kush e bën, duhet ta mësojë se koha kur shteti shqiptar, qeveria, kryeministri i Shqipërisë, rrinin si skutha që bënin te fortin me të dobëtit këtu brenda dhe te menderosurin para të huajve, ka vdekur”.
Top Channel