Shqipëria po përgatitet për kampionatin Europian “Gjermani 2024”, aty ku do të ndeshet me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën. Trajneri Sylvinho duket se e ka gati skuadrën, teksa kërkon maksimumin nga djemtë kuqezi.
Tekniku brazilian vjen në një rrëfim ndryshe për faqen e UEFA-s, aty ku tregon për propozimin që i erdhi nga Shqipëria, gjithashtu dhe të përbashkëtat që gjen ai me Brazilin.
Propozimi i Shqipërisë
“Ishte si një martesë, një zgjedhje e ndërsjellë. Më pëlqeu shumë projekti, u interesuan për ne si staf teknik, me Dorivën dhe Zabaletën, të rinj që kanë shumë dëshirë për të bërë mirë. Në Shqipëri flasin shumë italisht. Kuptova se mund të kaloja mirë mes italishtes dhe anglishtes. Shqiptarët e vlerësojnë futbollin teknik. Ata e pëlqejnë futbollin e mirë, kështu që më dha vetëdijen për të thënë: ‘Po, mund të punoj shumë mirë këtu’.
Jemi amerikano-jugor, por edhe shumë europianë. Pablo (Zabaleta) kaloi dhjetë vjet në Premier League. Kam luajtur edhe unë pak në Premier League, në Spanjë për një kohë të gjatë. Në Itali kam punuar me Roberto Mancinin. Doriva luajti në Itali dhe Portugali. Ekipi ynë është multikulturor”.
Udhëheqje me shembull
“Doriva, Pablo dhe unë kemi luftuar shumë në jetën tonë. Si futbollistë i kemi arritur objektivat dhe gjithçka kemi bërë. Lojtarët e kuptojnë këtë. Ky mentalitet është shumë i rëndësishëm.
Duhet të jemi të përulur, domethënë të kuptojmë se kemi ndaluar së luajturi. Lojtarët janë protagonistët dhe janë ata që dalin në fushë. Megjithatë, si teknikë, ka diçka që mund t’u kalojmë atyre dhe kjo gjë është mentaliteti. ‘Ju djema duhet të stërviteni mirë, seriozisht. Ne nuk mund të humbasim një stërvitje’. Duhet t’u futet në kokë lojtarëve, që ata të thonë: ‘Unë nuk vij të stërvitem për t’u stërvitur, unë vij të stërvitem për të fituar’”.
Pikat e përbashkëta mes Shqipërisë dhe Sao Paulos
“Unë kam lindur në São Paulo, ku kam jetuar në vitet ’80 dhe ’90. Kam luajtur futboll në rrugë. Ishte vërtet e vështirë, shumë fizike. Gjëja më e madhe që Tirana dhe Sao Paulo kanë të përbashkët janë njerëzit që jetojnë në Brazil dhe Shqipëri. Marrëdhëniet janë vërtet të përzemërta dhe njerëzit thonë: ‘Ulu dhe ha me mua. Dera e shtëpisë sime është e hapur’. Kjo është diçka e përbashkët e të dy vendeve”.
Rreth Kristjan Asllanit dhe Jasir Asanit
“Kristjan (Asllani) është një lojtar shumë i talentuar teknikisht, shumë i mirë me të dyja këmbët. Ai është i aftë të luajë në të dyja krahët. Ai është teknik, i ri dhe po bën rrugën e tij. Ai ka ende shumë për të mësuar, si çdo lojtar 21 apo 22 vjeçar. Është shumë i fortë për nga teknika, por edhe për nga personaliteti. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm.
Ne zgjodhëm Asanin në Korenë e Jugut. Ai është një lojtar me këmbë të majtë që luan në të djathtë dhe pret brenda, gjë që na pëlqen. Ai shënon gola të rëndësishëm, si ato kundër Polonisë dhe Moldavisë. Ai është një lojtar me cilësi të madhe, me një gjuajtje të fuqishme nga distanca. Ai po jep maksimumin në kombëtare”.
Ambiciet për finalen
“Për të qenë i sinqertë është e mrekullueshme. Të gjithë kemi bërë një punë të shkëlqyer. Përveç Pablos dhe Dorivës, ka shumë staf dhe njerëz nga federata që punojnë shumë. Të gjitha këto i bëjmë bashkë. Bëmë diçka të jashtëzakonshme, arritëm në Europian. Ndjesitë që mbizotërojnë janë entuziazmi dhe lumturia.
Kemi arritur deri këtu, i dimë aftësitë tona, po përmirësohemi. Do të jetë një sfidë e vërtetë. Çfarëdo që të ndodhë, ne do të punojmë shumë. Ndeshjet do të jenë fantastike, por të vështira dhe nëse arrijmë të mposhtim kundërshtarët tanë, do të dëshirojmë të vazhdojmë në atë rrugë. Po bëjmë mirë, por nëse mund të bëjmë një hap përpara do të jetë edhe më mirë”.
Top Channel