“Kemi njërën për Bari sot, na ndihmon ky shefi”/ Zbardhen përgjimet, si bashkëpunonin punonjësit e Rinasit me agjencinë për të kaluar ilegalisht persona drejt BE-së

04/06/2024 08:58

Top Channel ka siguruar dosjen me përgjimet që zbardhën skemën e policëve kufitarë të Aeroportit të Rinasit, të cilët në bashkëpunim me njëri tjetrin, mundësonin kalimin e personave ilegalisht drejt vendeve të BE-së.

Në dosjen e siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, zbardhen përgjimet e gjetura në celularin e Eneo Sulejmanajt, i cili shkruan se “na ndihmon shefi i stacionit”, për të kaluar disa persona përmes Rinasit.

“Nga kqyrja e komunikimit telefonik në aplikacionin signal, rezulton se më datë 06.04.2023, ora 06:30 PM, shtetasi Eneo Sulejmanaj i dërgon shtetasit Briken Tereziu fotografinë e pasaportës së shtetasit S.N dhe pas disa kominikimesh përkatësisht në orën 06:37, 06:39, shtetasi Eneo Sulejmanaj i shkruan bashkëbiseduesit “Eshtë ky Shefi i stacionit, na ndihmoi, Rrofsh vlla.

Nga kqyrja e sistemit TIMS rezulton se ky shtetas është i kthyer “deportiv” nga Gjermania më datë 24.01.20222, me motivin se i eshte refuzuar azili ekonomik ne kete shtet.

Më datë 06.04.2023 ora 06:46 PM ai ka udhëtuar në dalje të territorit të RSH, nga Pika e Kalimit të Kufirit Hani Hotit me automjetin me targë AA982ZH dhe është përpunuar nga punonjësi i policisë me user ne TIMS “PALAJZH”;

Nga kqyrja e komunikimit telefonik në aplikacionin signal, rezulton se më datë 10.04.2023, nga ora 09:16 AM – 09:50, shtetasi Eneo Sulejmanaj komunikon me punonjësin e policisë Briken Tereziu e konkretisht;

Eneo: Je në punë sot?

Brikeni: Po

Eneo: Kemi një goc sot për Bari(dhe i dërgon foton e pasaportës fotografinë e pasaportës së shtetases E.K

Brikeni: Ca ka kjo, Ditë?

Neneo: Po vlla. Ka nejt shumë. Po tani po ja shof pasap po ti çoj me foto vulat

Brikeni: Te 4 thuji. Për Bari ca ore

Eneo: 11:15 me Wizz. Po ngjiten vlla shif e futja një vile

Brikeni: Ok

Nga kqyrja e sistemit TIMS rezulton se kjo shtetase është përpunuar në dalje të territorit të RSH në të njëjtën datë (10.04.2023 ora 10:02 AM) nga punonjësi i policisë me username në TIMS XhikaS, (Referuar të dhënave të sistemit TIMS shtetasja ka tejkaluar ditët e qëndrimit në vendet Shengen, pasi është larguar më datë 24.03.2018 dhe ka hyrë në Shqipëri më datë 18.03.2023)

Nga këqyrja e komunikimit telefonik në aplikacionin Whatsup, rezulton se më datë 11.04.2023, nga ora 12:12 PM – 12:19PM, shtetasi Eneo Sulejmanaj komunikon me punonjësin e policisë Briken tereziu e konkretisht;

Eneo: Është një shok për Budapest sot (I dërgon foto të pasaportës së shtetasit E.R)

Brikeni: Ok ma nis ta shof. Ok te 4 thuaji

Nga këqyrja e sistemit TIMS rezulton se ky shtetas është përpunuar në dalje të territorit të RSH në të njëjtën datë (11.04.2023 ora 13:12 PM) nga punonjësi i policisë me username në TIMS TereziuB (Briken Tereziu), në tejkalim të ditëve të qëndrimit.”.

Top Channel