Heroinat tragjike të operave të Giacomo Puccinit përcollën një atmosferë magjike në teatrin antik të Butrintit mbrëmjen e së dielës.
“Voci di donne”, performanca e kompanisë së baletit Artemis Danza ishte përzgjedhur për të inicuar Javën e Kulturës Italiane në Shqipëri e për të nderuar disa evente, festën e Republikës Italiane, 100-vjetorin e vdekjes së kompozitorit të madh italian Puccini dhe njëkohësisht 100 vjetorin e zbulimit të qytetit antik të Butrintit e Foinikes nga arkeologu italian Luigi Ugolini.
Alessandro Ruggera, drejtor i Institutit Italian të Kulturës tha se performanca u realizua në vendin ideal, një skenë antike tragjedish, një teatër impresionues brenda të cilit të gjithë ndihemi të vegjël.
“Kishte disa arsye se përse vendosëm ta kishim këtë show këtu në Butrint e para sepse është 100 vjetori i misionit të parë arkeologjik në Shqipërinë e Jugut që zbuloi fillimisht Foiniken e më pas Butrintin. Kemi një përvjetor të dytë, 100 vjet nga vdekja e Puccinit dhe Artemis solli pikërisht një homazh për operat e Puccinit. Çdo gjë qëndroi shumë mirë në këtë teatër sepse ky vend është i pabesueshëm sidomos kur përkujtojmë histori dhe opera”, u shpreh Ruggera.
Performanca që u plotësua në një dimension dramatik nga ndriçimi i përzgjedhur ngjiti në skenë personazhet e Mimit dhe Musettës nga La Boheme, Toscan nga opera Tosca, Cio-Cio-San nga Madama Butterfly, Angelica nga opera Sour Angelica dhe Turnadot e Liu nga vepra e madhe e Puccinit Turnadot. Grupi Artemis Danza është i njohur ndërkombëtarisht për ndikimin inovativ artistik e kulturor, si dhe për eksplorimin e hapësirave urbane dhe siteve antike për ti kthyer ato në skena performancash. Monica Casadei themeluese e grupit tha se në Butrint çdo gjë rrodhi natyrshëm.
“100 vjetori i këtij parku arkeologjik përkon edhe me 100 vjet kujtesë për Giacomo Puccinin kështu që përzgjodhëm këtë homazh me heroinat e melodramës, Mimi, Turandot, Butterfly dhe kuadri i fundit ishte Verdi me La Traviata. Ka vite që lëvizim në të gjithë botën nga Amerika Latine në Azi e Afrikë. Ky vend është i jashtëzakonshëm sepse këto site arkeologjike ushqejnë shpirtin dhe ekzaltojnë artistët. Skena i dha dimensionin e duhur tragjik heroinave të këtyre operave”, tha Casadei.
Eventi madhështor me katër akte operistike nga “Voci di donne” i Puccinin ishte një celebrim për historinë, kulturën dhe trashëgiminë. Performanca u plotësua edhe nga një homazh i muzikës legjendare të Verdit.
Top Channel