Meksikanët u drejtuan drejt qendrave të votimit këtë të dielë për të votuar në zgjedhjet historike, ku pritet ta marrë karrigen presidentja e parë grua.
Dy kandidatët kryesorë presidencialë janë gra, Claudia Sheinbaum, nga partia e majtë Morena, dhe Xochitl Gálvez, nga partia konservatore PAN, e cila përfaqëson një koalicion partish opozitare.
Kandidati i tretë është Jorge Álvarez Máynez, më i riu në garë, i cili përfaqëson Lëvizjen Qytetare të qendrës së majtë.
Sondazhi i së dielës tregon zgjedhjet më të mëdha në historinë e vendit. Më shumë se 98 milionë persona janë regjistruar për të hedhur votën në Meksikë dhe 1.4 milionë meksikanë kanë të drejtë të votojnë jashtë vendit.
Më shumë se 20,000 pozicione do të plotësohen me rreth 70,000 kandidatë që konkurrojnë për t’u bërë senatorë, kryetarë bashkie dhe guvernatorë, kjo sipas CNN.
Presidenti në largim Andrés Manuel López Obrador, i cili është mentori i Sheinbaum, përshëndeti mbështetësit ndërsa votoi. Sheinbaum gjatë rrugës për të hedhur votën tha për gazetarët:
“Kjo është një ditë historike, ndihem shumë e lumtur”.
Gálvez u tha gazetarëve se nuk ishte nervoze dhe ishte e lumtur për pjesëmarrjen e madhe të votuesve. Ajo shtoi se priste që të ishte një ditë e gjatë.
Qendrat e votimit u hapën në orën 8 të mëngjesit me orën lokale dhe do të mbyllen në orën 18:00, sipas Institutit Kombëtar Zgjedhor të Meksikës (INE).
Megjithatë gjatë së dielës, disa qendra votimi në disa pjesë të vendit u hapën me vonesa. Radhë të gjata u panë në Mexico City, Jukatan, Tuxtla, Cuauhtémoc dhe qendrat e votimit jashtë vendit.
Top Channel