“Sulmi nuk ishte i qëllimshëm”/ Dhunimi i Sokol Mëngjesit, avokati i Dorian Alisë: Euforia e moshës, sedra e prekur dhe gjaknxehtësia…

02/06/2024 13:18

Avokati Mirash Ndoci i cili ka marrë në mbrojtje Dorian Alinë, njërin prej të arrestuarve si sulmues i avokatit Sokol Mëngjesi, në një reagim të gjatë ka sqaruar se sulmi sipas tij nuk ishte i qëllimshëm dhe as i planifikuar.

Në përgjigje për gazetaren Anila Hoxha, avokati Ndoci e nis reagimin e tij duke shprehur solidaritet dhe duke i uruar shërim të shpejtë kolegut të tij, avokatit Sokol Mëngjesi.  Ai shprehet se në media është abuzuar pasi nuk  ka patur një koordinim midis të rinjve apo dhe nuk ka pasur porositës për këtë situatë.

Teksa sqaron konfliktin mes palëve që degradoi në dhunë fizike jo të qëllimtë, avokati shprehet se ‘euforia e moshës, sedra e prekur dhe gjaknxehtësia, çuan në reagimin e papërmbajtshëm dhe aspak të hijshëm të Dorian Aliaj, i cili në momentin kur e kuptoi situatën u vetëdorëzua në polici. Përfshirja e dy kushërinjve Drivald Alia dhe Elton Kasaj si dhe shokut Romario Tabaku janë rastësore dhe aspak të organizuara”.

“Në dritën e ngjarjeve të fundit dhe duke marrë parasysh rëndësinë e transparencës dhe profesionalizmit në trajtimin e çështjeve ligjore, dëshiroj të sqaroj disa aspekte të rëndësishme lidhur me situatën e ndodhur dhe klientin tim, Dorian Alia.

Edhe pse jam përfaqësuesi i të dyshuarve, unë jam avokat dhe ndihem thellësisht i prekur për atë çka i ndodhi kolegut dhe mikut tim dhe njëkohësisht gjej rastin t’i uroj shërim të shpejtë. Profesioni ynë na vendos përballë sfidave të cilat duhet maturi dhe profesionalizëm për t’u dalë mbanë. Veprimet e kryera nga Dorian Alia, nuk kanë qenë aspak të qëllimshme dhe të përllogaritura.

Askujt mos i ndodhtë një situatë e tillë, siç është shprehur i penduar dhe vetë ai duke kërkuar ndjesë përpara Gjykatës për veprimin e pakontrolluar dhe impulsiv ndaj avokatit Sokol Mëngjesi. Duke kërkuar ndjesë familjes së avokatit dhe në veçanti fëmijëve të tij por edhe opinionit dhe shoqërisë që u prek shumë nga ngjarja. Nuk mund të lë pa përmendur faktin se është abuzuar në media duke dalë në përfundime për të cilat janë organet kompetente ato që do të shprehen, nuk është etike dhe rëndon situatën, konkludimet e mediave që ka patur një koordinim midis të rinjve apo dhe që ka patur një porositës për këtë situatë.

 Është e vërtetë që pikënisja e kësaj situate është trashëgimia e pronës, përfaqësues ligjor për sistemimin (kthimin) e së cilës ka qenë avokat Sokol Mëngjesi. Prona për të cilën përflitet është trashëgimi e znj. Albana Nano, vjehrra e Dorian Aliajt (bashkëshorti i vajzës së vetme të familjes Nano). Janë të njohura kalvaret e gjata të kthimit të pronave në dyert e gjykatave dhe problematikat e hasura me falsifikimet e dokumentacioneve bashkëshoqëruese. Problematikat e pronës, përfaqësimi dhe manipulimet e dyshuara, kanë bërë që znj. Albana Nano t’i drejtohet organeve kompetente duke kryer një kallëzim penal me qëllim vijueshmërinë me ekspertizat për shkrimin dhe firmat në kontratën e porosisë. Siç e dëshmon dhe vetë i dyshuari, ai nuk ka kontaktuar më parë me avokatin Sokol Mëngjesi.

Ka qenë një takim midis vjehrrit të tij z. Dritan Nano dhe avokatit në muajin shkurt 2024, ku Dorian Alia ka qëndruar në distancë dhe ka ndjekur zhvillimin e bisedës me tone jo të përshtatshme nga ana e avokatit për pretendimet e ngritura për pagesat mbi përfaqësimin e kryer. Bisedat familjare e kanë bërë të njohur situatën dhe kanë rihapur problematikën. Dihet që kur diskutohet për pronat dhe aq më tepër për zhvatje të padrejtë të tyre, nuk mund të ketë një atmosferë qetësie. Euforia e moshës, sedra e prekur dhe gjaknxehtësia, çuan në reagimin e papërmbajtshëm dhe aspak të hijshëm të Dorian Aliaj, i cili në momentin kur e kuptoi situatën u vetëdorëzua në polici. Përfshirja e dy kushërinjve Drivald Alia dhe Elton Kasaj si dhe shokut Romario Tabaku janë rastësore dhe aspak të organizuara. Theksoj se familjarët e Dorian Alia, (bashkëshortja me fëmijët, vjehrri Dritan Nano dhe vjehrra Albana Nano) kanë qenë në Pogradec në momentin kur ka ndodhur ngjarja.

Sapo është kontaktuar nga policia z. Dritan Nano është drejtuar vetë drejt Tiranës për t’u paraqitur në ambientet e policisë. Në momentin e ndalimit të të dyshuarit Dorian Alia, iu bë e ditur se dyshohej për kryerjen e veprës penale të “Plagosjes së rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 88-25 i Kodit Penal. Me administrimin e akteve nga organi i akuzës, të dyshuarit iu rëndua pozita duke e çuar përpara Gjykatës edhe për veprën penale “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”, parashikuar nga neni 316 i Kodit Penal. Ftojmë publikun dhe mediat të tregojnë maturi dhe të presin vendimet e organeve kompetente, duke shmangur paragjykimet dhe nxitjen e tensioneve të panevojshme. Në këtë mënyrë, mund të kontribojmë të gjithë për një proces të drejtë dhe transparent”-thuhet në reagimin  e avokatit Mirash Ndoci.

Top Channel